Milani i ri nën pronësinë e “RedBIrd” duket se po amerikanizohet gjithnjë e më shumë. Kuqezinjtë, pasi siguruan Pulishiç, nuk janë ndalur aty, duke firmosur edhe me një tjetër mesfushor amerikan.
Junus Musah, mesfushori i cili në vitet e fundit kishte qenë një titullar fiks te Valencia, ka kryer vizitat mjekësore sot dhe ka hedhur firmën në kontratën e re që e lidh me kuqezinjtë deri në vitin 2028.
Klubi bëri të ditur se ishte nënshkruar akordi, duke prezantuar zyrarisht lojtarin e rritur në akademinë e Arsenalit, para se të transferohej në Spanjë ku bëri emër te Valencia, duke u kthyer që në moshën 20-vjeçare një pikë fikse e përfaqësueses së SHBA me të cilin ka luajtur 27 ndeshje deri tani.
Klubi i Valencias nëpërmjet një komunikate, bëri të ditur se Milani kishte paguar 20 milionë euro për kartonin e tij, teksa kësaj shifre i shtoheshin bonuse të tjera që kishin lidhje me arritjet e kuqezinjve dhe paraqitjet e lojtarit.
PANORAMASPORT.AL