Stadiumi ka për funksion primar mbajtjen e ndeshjeve të futbollit. E di mirë këtë edhe presidenti i federatës së Futbollit në Kosovë, Agim Ademi, që kur vjen fjala për të ruajtur cilësinë e fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”, bëhet i rreptë edhe me familjarët e tij.
Kreu i FFK-së ka vendosur të anulojë mbajtjen e koncertit të të birit, reperit të njohur Capital T, në stadiumin e Prishtinës, pasi i ka bërë të qartë se primare është ruajtja e terrenit dhe përmirësimi i tij për të pritur ndeshjet e futbollit.
Kështu njofton vetë reperi Capital T në një postim për fansat, ku sqaron se edicioni i dytë i koncertit ‘Time Capsule’ nuk do të mbahet brenda stadiumit “Fadil Vokrri”, por në parkingun e tij.
“Sa mendova që u rehatuam në stadium, morëm lejet dhe bëmë gjithë sendet gati, mori shefi në telefon.
Duhet ta lirosh stadiumin. Nuk guxon ti të ma rrezikosh dhe duhet të largohesh që aty.
Kështu është kur e ke punën primare.
Por nuk jemi larg, jemi ngjitur me stadiumin e qytetit, në parking.
Mezi po pres datën 11 gusht”, tha Capital T në mesazhin për fansat.