Kviça Kvaratskhelia dhe Rafael Leao janë kundërshtarë në fushën e lojës, por respekti mes dy yjeve të Napolit dhe Milanit, është shumë i madh. Kjo shprehet edhe nga fjalët e futbollistit të Napolit, i cili e ka falënderuar publikisht homologu e tij të Milanit për një gjest fantastik që ai ka bërë pak muaj më parë.

Pas eliminimit nga Liga e Kampioneve pikërisht përballë Milanit, Kvaratskelia u kishte shkruar një mesazh ndjese tifozëve napolitanë pas sfidës në rrjete sociale. Menjëherë aty kishte komentuar edhe Rafael Leao. “Je një fenomen”, i shkruante ai gjeorgjianit, si për të treguar respektin që ka për talentin e ri.
Sot, Kvara është kujtuar për këtë gjest dhe duke folur për “Gazzetta Dello Sport”, e ka falënderuar edhe publikisht. “Më pëlqen thjeshtësia e tij, përulësia që ka. Në fushë është një kampion dhe jashtë saj nuk është më pak. E respektoj shumë, më ka bërë të lumtur me atë gjest me shumë mirësjellje. Kemi ndërruar fanellat dhe unë i urova më të mirën, pasi e meriton më të vërtetë”, tha “Kvaradona”.
PANORAMASPORT.AL