Boshti qendror i Milanit të ri nuk e ka gjetur ende drejtimin e tij: dhe nuk mund të anojë më në të majtë, ku zakonisht gjen rehati. Tomori dhe Loftus-Çiku, lider i mbrojtjes dhe referenca e re për mesfushorë, nuk po shkëlqejnë. Në hije është edhe Teo Hernandez, një nga yjet më të ndritshëm të ekipit. Tomori dhe Loftus duhet të ofrojnë mbulim, por në Amerikë ekipi e gjeti veten të pambrojtur, përtej shpërqendrimeve individuale (do të ishte më keq në rast të gabimeve të repartit) dhe lehtësisë së futbollit të gushtit.
Megjithatë, tri të dhëna përbëjnë një provë: tre gola të pësuar nga Real Madridi, dy nga Juventusi, një nga Barcelona. Porta nuk ka qëndruar e mbyllur kurrë. Tomori e hapi dy herë për Barçën dhe e shpartalloi me rastin e golit të Valverdes në ndeshjen me Realin e Madridit. Loftus-Çik, i cili supozohej të ishte gjiganti që do ta mbronte, dukej “i vogël” përballë kundërshtarëve të caktuar. Zbritjet e Hernandezit mund të jenë një shpërqendrim i këndshëm edhe pse francezi duket se luan akoma me frenën e dorës të ngritur. Kanë mbetur më pak se tri javë deri në fillimin e kampionatit dhe Pioli duhet të mbyllë hendeqet. Rikthimi i qëndrueshmërisë difensive dhe përmirësimi i Çikut në mesfushë. Aty kalon edhe Milani i ri.
UDHËZUESI ANGLEZ – Nëse Tomori është kolona, nuk mund të ketë asnjë krisje: dhe në vend të kësaj, dy nga gabimet vendimtare ndaj Barcelonës duhet t’i atribuohen pavendosmërisë së tij. Dhe anglezi ishte lëkundur jo pak kundër Realit të Madridit: një gabim në ndërtim pati favorizuar 1-2 e Valverdes dhe rikthimin e Realit. Topi i humbur në ndërtim është diçka e përsëriturit. Tomorit iu tërhoq shpesh veshi edhe në sezonin e fundit, pas sprintit të shkëlqyer të titullit. Ndër ilaçet e mundshme kundër golave të pësuar, përveç Çikut mund të jetë edhe Kruniçi. Gjithmonë nëse klubi do ta mbrojë atë nga sulmet turke të Fenerbahçes. Kuriozitet nga stërvitja amerikane: Tomori është kthyer në lojtarin më “vokal”, një guidë që thërret dhe drejton repartin me udhëzime dhe bërtitje, ashtu siç në shumicën e kohës bën Menjaja.
MBROJTËSIT E KRAHUT NË QENDËR — Teo Hernandez është gjithashtu pjesë e mbrojtjes “për t’u mbrojtur”. Zakonisht i shkëlqyer në shtytje, më pak i sigurt prapa, në provën e fundit amerikane ndaj Barcelonës ai u shfaq jashtë loje sidomos kur bëhej fjalë për të frenuar Rafinjën. Teo ra më shumë në sy për ngjyrën e flokëve (platin dhe rozë), por koka duhet përdorur ndryshe. Pioli nga ana e tij po mundohet të gjejë zgjidhje taktike duke e detyruar që të tentojë shpërthimet në qendër siç bënte në kohët e arta. Në fakt, si francezi ashtu edhe Kalabria do të kenë këtë udhëzim pasi korsitë do të jenë territor gjahu për Leaon e Çukvuezen.
NË PRITJE TË LOFTUSIT – “Më në fund me Piolin do të rikthehem të luaj ashtu siç më pëlqen”, festoi Ruben Loftus-Çik pas mbërritjes së tij te kuqezinjtë. Një qendërmesfushor substance, që në idenë e Milanit të ri do të duhet të zëvendësojë fizikun e Kesit, që rezultoi thelbësor për skuadrën e cila fitoi titullin një vit më parë. Në këtë verë të përgatitjeve për sezonin e ri, anglezi mbetet një titullar i padiskutueshëm, por për shkak të strukturës fizike do t’i duhet pak më shumë kohë për të gjetur formën e duhur. Pioli e ka përdorur në një rol hibridit mes fantazistit dhe të tretit të mesfushës, teksa shokët e skuadrës e kërkonin me topa të gjatë pikërisht për të përfituar nga përmasat e tij. Megjithatë, ai duhet të gjejë një mënyrë për të qenë më i rrezikshëm në zonën kundërshtare, siç e pranoi edhe vetë Ruben në të fundit pas ndeshjes. Po në këtë rast, çfarë terapie ka menduar trajneri? Pioli do t’i japë besim, i cili është po aq themelor sa vazhdimësia e përdorimit, që i ka munguar vitet e fundit. Ai duhet të luajë dhe të jetë sa më afër portës. Reijndersi gjithashtu mund të ndihmojë. Një kombinim i bukur në Las Vegas (pasim vertikal nga Çik për goditjen e holandezit). Një skemë për t’u përsëritur.
PANORAMASPORT.AL