Junus Musah është goditja e tetë e Milan it, por me gjasë nuk do të jetë e fundit. Amerikani u vesh kuqezi për 20 milionë euro, teksa një statistikë bie në sy. Falë 94 prezencave në kampionatin spanjoll, ai mund të krahasohet vetëm me lojtarë si: Donaruma, Rivera, Piola, Kolausi, Mançini, Korso, Nereo Roko e Paolo Maldini, të cilët kishin arritur këtë kuotë ndeshjesh në nivelin më të lartë të një kampionati pa mbushur 21 vjeç. Mesfushori i ri i “djallit” do t’i mbushë në nëntor, por ndërkohë dje ka kryer stërvitjen e parë më shokët e rinj dhe është prezantuar në televizionin e klubit.
Si e keni nisur lidhjen tuaj me futbollin?
Kam qenë shumë i vogël, megjithatë moshën nuk di ta them me saktësi. Luanim shtatë kundër shtatë dhe isha nga ata fëmijë që driblonin shumë. Kaloja orë të tëra duke luajtur me shokët dhe vëllezërit e mi me pasionin për këtë sport që më rritej çdo ditë.
Keni ndryshuar shumë qytete për shkak të punës së prindërve. Si ka qenë përshtatja në vendet ku keni shkuar?
Kam pasur një raport të mrekullueshëm me shokët e skuadrave, sepse është e vërtetë që kam ndryshuar shumë. Puna e prindërve na ka dhënë mundësinë mua dhe familjes që të njihemi me kultura ta ndryshme. Ka qenë një fëmijëri interesante e që më ka ndihmuar shumë në rritjen time.
Keni folur me Pulisiçin përpara se të zbarkonit te Milani?
Sigurisht që po. Jemi shokë kombëtareje dhe miq. Më ka folur mirë për klubin dhe më ka uruar sapo lajmi u bë zyrtar. Është i lumtur që do të jemi bashkë edhe në të njëjtin klub.
Keni pasur ndonjë lojtar të preferuar te Milani?
Ka pasur disa, sepse Milani është një klub ku kanë kaluar shumë kampionë, plus edhe skuadra e zemrës së vëllait tim. Sedorf, Pato dhe Ronaldinjo janë disa prej tyre. Madje edhe numrin në fanellë e kam marrë pikërisht në nder të Ronaldinjos.
Kaq shumë ju pëlqen Ronaldinjo?
Ka qenë një kampion dhe mbaj mend që ka pasur pikërisht numrin 80 kur ishte te Milani. Ishte një fanellë e lirë dhe e mora. Do të jetë ndjesi speciale për mua të zbres në fushë me numrin e tij.
Po me ish-trajnerin tuaj te Valencia, Gatuzon, keni folur?
Edhe kur nuk kishte asgjë konkrete, ai më fliste për Milanin kur ishim së bashku te Valencia. Bënte shaka e më thoshte se një ditë mund të isha kuqezi. E ja që e pati fjalën e mbarë.
Çfarë karakteristikash keni?
Më pëlqen të kem rivalë përballë dhe t’i dribloj. Suksesi në duelet një kundër një më jep adrenalinë, por nuk kursehem edhe në detyrat e tjera. Të shohim se çfarë do të më kërkojë Pioli të bëj.
Po jashtë fushe çfarë djali jeni?
Jam shumë i këndshëm dhe kam shumë durim. I urrej zënkat dhe fjalët e kota. Dua të argëtohem dhe të mësoj shumë, besoj dy nevoja bazike për dikë të moshës sime.
A keni ndonjë mesazh për tifozët tuaj të rinj?
Faleminderit për të gjitha mesazhet që më keni dërguar gjatë këtij muaji. Mezi pres të luaj para jush dhe të ndiej mbështetjen tuaj.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL