Sulmuesi ynë i Rapidit të Rumanisë, Albion Rrahmani, në një intervistë për faqen zyrtare të klubit rumun, është shprehur optimist se do të vazhdojë më formën e mirë në aventurën e parë në tokën rumune.
Rrahmani dje zyrtarisht është transferuar tek Rapidi nga Ballkani i Therandës për çmimin 600 mijë euro, që është transferimi më i shtrenjtë nga futbolli kosovar.
Rrahmani është zotuar se do të jep më të mirën tek Rapidi.
Ai thotë se golat nuk do të mungojnë tek skuadra rumune. Rrahmani është shprehur i qartë që pseudonimin e tij “Lewandowski” do ta bartë edhe në Rumani.
“Ndihem shumë mirë.
Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Dua të dëshmoj vlerën time para tifozëve dhe klubit sa më shpejt të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të marr disa shfaqje.
Zgjodha Rapidin për shkak të projektit qe synohet te zbatohet këtu, është një projekt shumë i mirë dhe e ndjeva se ishte më e mira të isha këtu. Do të bëj gjithçka për të arritur këtë qëllim.
Unë jam i shpejtë, jam i zgjuar dhe jam shumë i mirë në duelet kokë më kokë me portierin dhe shumë cilësi të tjera”, tha ai.
“Unë kam një pseudonim, ‘Lewandowski’. Kaq, kështu më thërrisnin fansat nga Kosova dhe ‘Lewa’ mbetet pseudonimi im! Kam vendosur të shënoj shumë gola sepse dua të jem golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe i Evropës”, ka theksuar reprezentuesi i Kosovës.
Kujtojmë se Rrahmani sezonin e kaluar ka shënuar 30 gola në 50 ndeshje të zhvilluara me Ballkanin.