PSG-ja vazhdon të prodhojë lajme. Klubi kampion në Francë është kthyer në një burim nga lindin polemika të pafund. Historia është e mbushur me ngjarje nga më të ndryshmet në Paris, aq sa është e vështirë për të zgjedhur se kush bën më shumë bujë. Një tjetër prapaskenë është zbuluar në klubin francez.

Ka mjaftuar vetëm një pëlqim (“like”) i Nejmarit për një postim domethënës në rrjetet sociale për të ndezur polemika të tjera dhe për të kthyer kokën nga ngjarje që datojnë nga sezoni i kaluar. Nëse do të kthehemi një vit më pas në kohë, të gjithë kujtojnë zhgënjimin e Mbapesë me dy lojtarët nga Amerika e Jugut, Lionel Mesi dhe Nejmar. Ai ka kritikuar jo pak lojtarët nga Amerika e Jugut për mungesën e disiplinës, duke shigjetuar madje edhe vetë klubin e tij. Jo vetëm kaq, por një nga paktet që Mbape pati me klubin në momentin e rinovimit të tij ishte largimi i dyshes Lionel Mesi dhe Nejmar Zhunior.
Ajo që ishte një sekret i hapur, por i maskuar si thashetheme, duket se po kthehet pak nga pak në realitet. Kohët e fundit po përhapet ideja se Mbape nuk kishte marrëdhënie shumë të mira me Mesin dhe Nejmarin dhe se nuk do të kishte vend për kaq shumë gjela në pullaz. Përballë mediave, të tre shfaqeshin të kënaqur, duke përçuar imazhe përzemërsie. Megjithatë, duket se sfondi i asaj lidhjeje është më i errët sesa mund të vlerësohej. Fillimisht Mesi u nis për në Majami, e tani Najmari për në Arabinë Saudite. E gjithë kjo nën një klimë spekulimi se Mbape ka diçka të bëjë me këto largime. Diçka për të cilën braziliani mund të jetë dakord, pasi i ka “pëlqyer” një publikim që flet për kërkesat e parisienit për të qëndruar në klub dhe se ato do të kishin të bënin me marrëdhënien e tij me ‘O’Rei’-n.
Një “like” dhe një koment i diskutueshëm – Në tekstin e postimit thuhet kështu: “Polemika: Verën e kaluar, Mbape ia bëri të qartë PSG-së se nuk kishte vend për të dhe Nejmarin në të njëjtin ekip. Rastësisht, dita që Nejmari u shpall praktikisht nga Al-Hilali, Mbape është shfaqur sërish shumë i lumtur”. Ky postim nuk i ka shpëtuar Nejmarit, i cili e ka pëlqyer këtë publikim (i ka dhënë një “like”), që ka shkaktuar një polemikë të madhe në rrjetet sociale. Në tekst nënkuptohet se Mbape, me refuzimin e tij për të rinovuar, ka dashur vetëm largimin e brazilianit. Ish-i i Barcelonës është në rrugën e daljes dhe nënshkrimi i tij mund të zyrtarizohet në orët e ardhshme drejt Al-Hilalit. Kjo do t’i jepte fund lidhjes së një dysheje që mesa duket ka ende llogari të hapura.
PANORAMASPORT.AL