Ksavi Hernandez ka shpërthyer për shkak të vendimeve të arbitrazhit pas ndeshjes së të dielës kundër Getafes (0- 0). Nuk është hera e parë që trajneri nga Terrasa, qoftë në La Liga apo në garat kontinentale, ankohet për vendimet e gjyqtarëve, udhëzimet që ata kanë vendosur apo rregullat, por ai kurrë nuk ishte zemëruar aq shumë sa në “Coliseum Alfonso Pérez”.
Ai u ankua për disa veprime dhe rrethana dhe një prej tyre ishte koha e humbur. Dhe numrat i japin të drejtë atij. Në fakt, përplasja mes Barçës dhe Getafes në premierën e sezonit 2023- ‘24, ka bërë histori. Ndeshja në Madrid mban rekordin për ndeshjen më të gjatë në kompeticion që nga të paktën sezoni 2007-‘08, sipas të dhënave të “opta”-s.
NJË ORË PA TOP NË LOJË – Koha totale e lojës në “Coliseum Alfonso Pérez” ishte 116 minuta, megjithëse koha reale ose ndryshe loja efektive ishte vetëm 56 minuta! Më pak se gjysma. Takimi, sipas të dhënave të analistëve të klubit “blaugrana”, ka zgjatur diçka më pak se një orë, teksa për 60 minuta e 43 sekonda topi ka qenë jashtë loje!
Në pjesën e dytë shtesa zgjati 15 minuta e 25 sekonda, nga të cilat u luajtën vetëm 5 minuta e 25 sekonda. Në total, vetëm 56 nga 116 u luajtën dhe u shpërnda kështu: 39:32 topi ishte nën zotërimin e Barcelonës dhe 16:45 topi u zotërua nga Getafe. Sido që të jetë, ndeshja ndaj Getafes, falë shtesave të shumta të Çezar Soto Grados tejkalon kohën mesatare të dueleve në La Liga në sezonet e mëparshme, pasi në sezonin 2021-‘22 ishte 53 minuta e 36 sekonda dhe në sezonin e kaluar ishte 53 minuta e 21 sekonda. Megjithatë, koha efektive në Spanjë, është më e ulët se në ligat e tjera të mëdha europiane, pasi, për shembull, sezonin e kaluar në Premier Ligë koha efektive ishte 57 minuta e 54 sekonda; në Francë ishte 55:55; në Serinë A, 54:53; dhe në Bundesligë 54 minuta e 5 sekonda.
SULMI I KSAVIT – Ksavi, i cili në takimin ndaj Getafes u ndëshkua me karton të kuq, ka qenë shumë i ashpër me gjyqtarët dhe La Ligën. Ai ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të rregulluar kohëzgjatjen e ndeshjeve. “Shtesa prej 26 minutash është një turp. Sepse nuk ka prodhuar më shumë kohë efektive. Kjo është qesharake. Nëse Liga dëshiron të shesë një produkt të tillë kjo është vërtet për të ardhur keq”, deklaroi Ksavi.
LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL