Federata Italiane e Futbollit ka mbetur në vendnumëro sa i përket caktimit të trajnerit të ri të saj. Edhe pse ka një akord me Luçiano Spaletin, nuk do të firmosë me trajnerin për sa kohë ai ka një klauzolë që e pengon të nënshkruajë pa i paguar një gjobë Napolit.
Shumëkush ka kërkuar që Napoli të lërë të lirë trajnerin, por presidenti Aurelio De Laurentis, nëpërmjet një letre të hapur, ka reaguar ndaj këtyre kërkesave, duke shpjeguar se pse insiston që të paguhet klauzola e vendosur në kontratë në momentin që Spaleti vendosi të mos vazhdonte karrierën e tij te napolitanët.
“Nëse i ofrohet një rrogë prej 3 milionë eurosh neto për tre vite, nuk mund të ndalesh para një pagesë prej 1 milionë eurosh bruto në vit për ta liruar nga lidhja kontraktuale që ka”, shkruante ndër të tjera De Laurentis.
“E gjithë kjo është mungesë koherence. Për klubin e Na0plit, tre milionë sigurisht që nuk janë shumë, dhe për Aurelio De Laurentis edhe më pak. Por çështja në fjalë nuk është për paratë e qelbura, por një çështje parimesh, që nuk i përkasin vetëm klubit të Napolit, por të gjithë sistemit të futbollit italian, që duhet të zhvishet një herë e përgjithmonë nga sjellja e tij amatoreske për të përballuar sfidat, duke parë respektimin e rregullave të shoqërive sa u përket veprimeve të merkatos.
Por derisa të lejohet që “rregulli:” të bëhet “përjashtim”, sistemi i futbollit nuk mund të zhvillohet dhe do të vazhdojë të jenë raste Spaleti, ashtu siç do të vazhdojnë të shprehen si “persona të ditur” komentatorë të cilët nuk dinë se si drejtohet në mënyrë të shëndoshë një kompani:”, shkruante ndër të tjera presidenti i Napolit.
PANORAMASPORT.AL