Milani ka ndryshuar shumë këtë verë. Fillimisht me nivel menaxherial, pastaj edhe në merkato. Edicioni i djeshëm i “Il Corriere della Sera” ka komentuar situatën.
Lamtumira e Paolo Maldinit, lexohet, i ka dhënë një strukturë të re organizative klubit. Njeriu i merkatos është bërë administrator. Po flasim për Xhorxho Furlanin, që i asistuar nga Xhefri Monkada është përqendruar te puna kolektive, e ndryshme nga ajo e drejtuesit të mëparshëm. Afrimet e kuqezinjve janë bazuar më shumë në shifra. I ashtuquajturi sistem “Moneyball”. Kur blen një futbollist shikon karakteristika të ndryshme, mes tyre nuk ka kombësi.
“Djalli” nuk zgjodhi të mos blejë më shumë italianë (portieri i dytë Sportielo mbërriti këtë verë), drejtuesit thjesht vendosën te kenë prioritete të ndryshme. Në këtë kuadër kanë ardhur lojtarë si Loftus-Çik dhe Pulisiç nga Çelsi, Çukvueze nga Vijarreali, Musah nga Valencia, Reijnders nga Alkameri dhe Okafor nga Salcburg. Vizioni është i gjerë dhe përfshin edhe kujdesin e kostove, pasojë e të cilit ishte shitja e Tonalit, që duket se deri më tani ka financuar të gjithë fushatën përforcuese për skuadrën e Piolit.
Sidoqoftë, ka ende punë. Jo vetëm për trajnerin, por edhe për drejtuesit. Origi, Ture, Salmakers e ndonjë tjetër mund të largohet dhe me paratë e fituara do të financohen nevojat e tjera të skuadrës. Kjo lëvizje manaxheriale përbën risi, ndaj për vlerësimin duhet pritur ecuria e Milanit gjatë sezonit që do të nisë këtë fundjavë.
PANORAMASPORT.AL