Në mediat shqiptare po qarkullon një intervistë e babait të Luis Hasas, Arben Hasa, i cili ka thënë se ata ende nuk kanë pranuar ndonjë ftesë nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) për ta reprezentuar kombëtaren kuqezi.
Luis Hasa momentalisht mbron ngjyrat e Kombëtares së Italisë në grupmoshat U19, me të cilën edhe fitoi Kampionatin Evropian U19.
Po ashtu, Hasa cilësohet edhe si njëri nga talentët më të spikatur të Juventusit, ku është te gjiganti italian që prej moshës tetë vjeçare, ndërsa e bëri debutimin e tij te “Zonja e Vjetër” së fundmi në një miqësore ndaj Atalantas.
Babai i Hasas ka thënë se ata ende nuk kanë marrë një ftesë nga Shqipëria, por që kjo gjë është përgënjeshtruar menjëherë nga FSHF.
Përmes një komunikate në faqen zyrtare, FSHF ka bërë të ditur se e kishte ftuar Hasan në grumbullim për ndeshjet e vitit të kaluar kundër Anglisë dhe Kosovës.
“Prej vitesh FSHF ka ngritur një rrjet të madh skautësh për të evidentuar dhe ndjekur nga afër lojtarët e talentuar shqiptar që luajnë kudo nëpër botë. Ky rrjet skautësh, që rritet dhe zgjerohet muaj pas muaji, sinjalizon Departamentin e Ekipeve Kombëtare për elementët më të spikatur të cilët më pas ftohen nga ekipet tona nga U-15 deri te ekipi Kombëtar A.
Ne e kemi bërë dhe e bëjmë gjithmonë ftesën tonë publike, për çdo shqiptar që dëshiron të luajë me fanellën e Shqipërisë. Nuk kishte sesi të mungonte një ftesë edhe për një talent të madh si Luis Hasa. Hasa ka qënë vazhdimisht pjesë e monitorimit të stafeve tona teknike dhe është ftuar për herë të fundit zyrtarisht më 18 maj 2022, sic shikohet në shkresën drejtuar klubit të Juventusit, për të luajtur me Shqipërinë U-21 në ndeshjet zyrtare ndaj Anglisë dhe Kosovës”, shkruante në komunikatën e FSHF-së.