Tod Bohli ka treguar se nuk ka frikë të shpenzojë para në përpjekjen e tij për të rindërtuar Çelsin. Blutë thyen sërish rekordin e transferimit më të shtrenjtë në Britani, duke firmosur me Moises Kaisedon për 115 milionë paund. Në janar, ata shpenzuan 106 milionë sterlina për fituesin e Kupës së Botës me Argjentinën, Enzo Fernandez.
Kjo do të thotë se shpenzimet e amerikanit, që nga marrja e detyrës e deri tani, kanë arritur në 821 milionë paund. Për ta vendosur këtë shifër të çmendur në një lloj konteksti, “SunSport” ka përdorur fantazinë për të treguar se çfarë mund të kishte blerë biznesmeni amerikan me këtë shifër që ka shpenzuar deri tani.
KËSHTJELLA BALMORAL
Pallati mbretëror i Bakingamit ka një vlerë mbi 3 miliardë paund dhe është jashtë rrezes së kësaj shifre, megjithatë kështjella Balmoral është sigurisht e përballueshme për investitorin e pasur. Ajo do t’i kushtonte atij një milion më pak sesa pagoi për Kaisedon (114 milionë paund).
FILMI “STAR WARS”
Si një njeri që ka investuar në shumë fusha, Bohli është i lidhur edhe me Hollivudin. Një nga kompanitë e tij të shumta “Eldridge Industries” u bashkua me producentët kryesorë të filmit “MRC”, prodhuesit e serialeve të famshme të “Netflix”- it, “House of Cards” dhe “Ozark”, si dhe filmave “Baby Driver”, “Knives Out” dhe “Ted”. Por, për 446 milionë paund ai mund të kishte bërë filmin më të shtrenjtë të realizuar ndonjëherë. Këtë privilegj e mban filmi “Star Ëars: The Force Aëakens”, ku luajnë emra si Deizi Ridli, Xhpn Bojega dhe Harrison Ford.
MAKINA MË E SHTRENJTË NË BOTË
Ne nuk e dimë se çfarë makine nget Bohli. Por ne vëmë bast se nuk do të kishte qenë më mirë se MercedesBenzi 300 SLR Uhlenhaut Coup i vitit 1955. Në vitin 2022, ai mjet u bë më i shtrenjti i shitur ndonjëherë, duke kushtuar 114 milionë paund. Ju mund të supozoni se ajo ka një motor më të mirë sesa ai i Kaisedos dhe Fernandezit.
KLAUZOLA E ALABËS
Në vitin 2021, Reali firmosi me David Alabën nga Bajerni me parametër zero. Kjo u lejoi atyre që të luanin me pagat astronomike të austriakut (një rrogë prej 362 mijë paundësh në javë) dhe të përfshinin një klauzolë prishjeje kontrate të çmendur për të paralajmëruar këdo që tenton ta blejë atë.
Bohli do të duhej të paguante 732 milionë paund qoftë për t’u ulur me menaxherët e tij. Megjithatë, ai nuk mund të përballonte të paguante klauzolën e prishjes së kontratës së Pedrit me Barcelonën, e cila është 861 milionë paund.
NEJMAR… KATËR HERË
Transferimi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave do të ishte një lojë fëmijësh për Bohlin. Blutë thuhet se bënë një ofertë për të nënshkruar me brazilianin Nejmar përpara se ai të zgjidhte Arabinë Saudite.
Çmimi i transferimit të tij prej 199 milionë paundësh (222 milionë euro) të shpenzuara nga PSG-ja në vitin 2017, mbetet ende si më i shtrenjti i paguar ndonjëherë për një futbollist. Por ky nuk është një problem për Bohlin, i cili mund ta kishte blerë atë katër herë.
KONCERTE PRIVATE TË TEJLOR SUIFT
Nëse do të donit që ylli më i madh i popit në planet, Tejlor Suift, të luante hitet e saj për një shfaqje private, kjo do të kushtonte vetëm 4 milionë paund. Dhe me një shifër të tillë, Bohli do të mund të siguronte me qindra koncerte private të saj fundjavave.
KULLAT PETRONAS
Kullat Binjake Petronas janë kullat binjake më të larta në botë dhe statusi i tyre ka mbetur i padiskutueshëm që nga ngritja e tyre në 1996. Ndërtuar në Kuala Lumpur të Malajzisë, ato arrijnë 1.483 metra lartësi. Ato kushtojnë përafërsisht sa Bohli ka ndërtuar deri tani perandorinë e tij te Çelsi, 821 milionë paund.
DIAMANTI I SHPRESËS
Zyrtarisht është stolia më e shtrenjtë sot në botë, Diamanti Shpresa është një copë 45,52 karatësh (9.104 gramë) e nxjerrë në shekullin e 17-të nga miniera Kollur në Guntur të Indisë. Mbreti i fundit i Francës, Luis XVI dhe tregtari i gurëve të çmuar nga Nju Jorku, Herri Uinston, ishin vetëm disa nga pronarët e saj gjatë shekujve.
Që nga viti 1958, ajo është ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore Smithsonian në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vlera e saj është rreth 200 milionë paund, plotësisht e përballueshme për zotin Bohli. Megjithatë, thuhet se ajo është e mallkuar, duke kontribuar në rënien nga pushteti apo vdekjen e pronarit të saj. Zoti Bohli, jeni i paralajmëruar!
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL