Në fillim të qershorit, një ditë pas përfundimit të kampionatit, administratori Mauricio Skanavino kishte treguar rrugën në të cilën Juventusi duhet të kishte lëvizur për të rregulluar bilancin, i cili edhe asokohe planifikohej pa të ardhura nga Champions-i.
Administratori kishte vendosur një dietë prej 140 milionë eurosh për t’u gjetur mes kursimeve në pagesat e pagave dhe te shitjet. Dy muaj më pas, qëllimi nuk është arritur ende, por dieta për dobësim po jep efektet e saj sepse “zonja e vjetër” tashmë ka hequr 117 milionë dhe kanë mbetur edhe 20 ditë para përfundimit të merkatos, e cila planifikon një javë më shumë për tregun arab ku drejtuesit bardhezi synojnë të shesin ndonjë element.
PLUS 51 MLN – Përshpejtimi i kryer në ditët e fundit nga Kristiano Xhuntoli dhe Xhovani Mana me katër shitje, ka bërë të mundur që t’i jepet një goditje e fortë llogarive, duke rimbushur arkat bardhezi dhe duke larguar disa nga të ashtuquajturit “teprica”. Pasi Denis Zakaria u shit te Monako për 20 milionë (me 5 për qind në rast rishitje dhe plusvalencë të lartë) dhe sidomos pas huazimit me detyrim blerje në 10 milionë euro të Koni de Vinterit te Xhenoa Juvja nuk planifikon të ndalet.
Dy të sipërpërmendurit së bashku me Luka Pelegrinin dhe Nikolo Rovelën te Lacio, të dy të huazuar me detyrimin për të blerë përkatësisht 4.5 dhe 17 milionë, gjeneruan një fluks prej 51.5 milionësh duke llogaritur vetëm të ardhurat për shitjen e ardhshme të kartonëve. Në këtë rast, kursimet nuk kanë ndodhur te pagat pasi të katër lojtarët ishin tashmë jashtë skuadre që në sezonin e kaluar.
PANORAMASPORT.AL