Friday, 27. March 2026
Sport

ANALIZA/ “Zonja” me grim të ri, sinjale të mëdha në horizont

GS 23/08/2023 3 Min. Lesezeit

Sigurisht, kemi parë vetëm 90′ të kampionatit, por nëse kemi parasysh edhe miqësoret e verës, këto janë të dhëna të rëndësishme. Interi dhe Milani që kanë ndryshuar dhe shpenzuar shumë për obsesionin e tyre të yllit të dytë dhe Napoli duket se nuk e ka shteruar urinë për sukses. Megjithatë, kjo Juve “e re e vjetër” pa Europë mund të jetë e bezdisshme. Jo vetëm për vendin e katërt. Ndaj Udinezes pamë një Juventus që tifozët e prisnin prej kohësh.

Festa juventus

Prej shumë kohësh ndoshta. Agresivitet, presing i lartë, shpejtësi loje dhe ajo zemëratë që është zbehur me kalimin e viteve që nga koha e Antonio Kontes. Megjithatë, në pankinë është ende ai Masimilian Alegrit, që kritikët e kanë sulmuar shpesh për një lojë të cilësuar si tepër pritje-dhe-shih, anakronike, atë të fitoreve “me milimetra” si të thuash.

Megjithatë, formacioni që doli në fushë kundër Udinezes kishte vetëm dy debutues në krahasim me disa muaj më parë: Timoti Ueah dhe Andrea Kambiazo. Por është fryma që ka ndryshuar. Pas shumë goditjeve të marra, brenda dhe jashtë fushës, “zonja e vjetër” duket se ka vendosur të ngrejë kokën dhe ta mbyllë lidhjen me zero trofe të së shkuarës së afërt.

TË RINJ VETERANË – Mbështetur te dyshja, Vlahoviç dhe Kieza, të cilët, ashtu si Alegri, kishin përfunduar në vorbullën e dyshimeve, Juvja tregoi një pjesë të forcës së saj të dielën mbrëma. Por, pas dyshes sulmues qëndron hija e Lukakut (e cila në realitet rri ende pezull), megjithatë dy djemtë kanë treguar me vepra se e kanë përqafuar projektin e Juventusit, në kohë të mira dhe në të këqija. Tifozët e kuptuan dhe kanë qenë gjithmonë në anën e tyre. Çifti i përbërë nga Dusan dhe Federiko, në teori, mund të ketë disa kufizime teknike, por duket se funksionon. Sepse të dy njihen që në kohën e Fiorentinës, sepse janë miq, por edhe sepse kanë brenda tyre një zjarr hakmarrjeje të aftë për të ndezur edhe shokët e skuadrës.

ENERGJIA E RE – Ndoshta me ndihmën e dy më të rinjve, Ueah dhe Kambiazo, të cilët nuk kishin asgjë për të humbur, por ja që kanë sjellë një frymë optimizmi dhe dëshirë për punë në Torino. Në vetëm pak javë, ishbolonjezi mori titullaritetin, duke ulur në stol Kostiçin dhe Ilingun. Nga ana tjetër, djali i të madhit Xhorxh (Ueah) po mundohet të mos e bëjë të ndihet mungesa e Kuadrados dhe duket se ka marrë rrugën e duhur.

NDIHMË TEKNIKE – Por pas këtij ndryshimi, ritmi qëndron sigurisht edhe tek ardhja e Françesko Manjanelit. Ish-mesfushori i Sasuolos iu bashkua stafit të Alegrit dhe mbërriti me ide të reja të mësuara në një shkollë futbolli si Sasuolo. Ai ka punuar me trajnerë si Di Françesko, De Zerbi dhe Dionizi, vetëm për të përmendur të fundit, të cilët me mentalitetin e tyre kanë kontribuar për të shënuar një ndryshim ritmi në lëvizjen futbollistike italiane. Dhe me sa duket diçka nga ato vite Manjaneli e ka sjellë edhe në Kontinasa.

PANORAMASPORT.AL

Teilen: