Një nisje përvëluese ajo e Lautaro Martinezit në këtë sezon. Kapiteni i Interit ka shënuar 3 gola në 2 javët e para, si asnjëherë më parë në karrierën e tij si zikaltër.
Argjentinasi ka koleksionuar 82 gola në Serinë A dhe ka lënë pas dy mite si Kristiano Ronaldo dhe Diego Maradona, me synimin për të mbërritur tashmë në 100 gola në kampionat.
“Rruga është e gjatë, kemi punë për të bërë, por të gjithë bashkë mund t’ia dalim”, ka qenë mesazhi argjentinasit pas fitores ndaj Kaljarit në sezonin e tij të gjashtë në Milano, ku mesatarja e golave në kampionat është mbresëlënëse, me një gol çdo 56 minuta. Por si ka mbërritur deri në këtë pikë sulmuesi zikaltër?
2018-2019: 0 gola në 2 javët e para (gjithsej 70’)
Me mbërritjen nga Rejsingu, Lautaro gjen Ikardin lider të skuadrës dhe në dy javët e para ndaj Sasuolos dhe Torinos hyn nga stoli pa ndikuar. 4 pankina për të në vijim për t’u kthyer në javën e 7-të, ku gjen golin e parë në kampionat, pikërisht ndaj viktimës së tij të fundit aktualisht, Kaljarit.
2019-2020: 1 gol në 2 javët e para (gjithsej 155’)
Interi e nis Serinë A me një fitore 4-0 ndaj Leçes, por pa gjurmën e Lautaros, që shënon ama në javën pasardhëse serish ndaj Kaljarit në fitoren 1-2, me golin tjetër të Lukakut.
2020-2021: 2 gola në 2 javët e para (gjithsej 115’)
Argjentinasi shënon 1 herë ne fitoren 2-5 të Interit ndaj Beneventos dhe kontribuon sërish me një gol në spektaklin 4-3 ndaj Fiorentinës. Një gol çdo 58’, një mesatare e lakmueshme dhe e ngjashme me aktualen edhe pse nuk i luan dot të plota dy ndeshjet.
2021-2022: 1 gol në 2 javët e para (gjithsej 74’)
Pasi humbi ndeshjen e parë ndaj Xhenoas për shkak të dëmtimit, Lautaros i duhen 47 minuta për të shënuar golin e parë të sezonit në fitoren 1-3 ndaj Veronës. Zëvendësohet në të 74’-ën, por shënon në total 5 gola në 7 javët e para (6 ndeshje të luajtura), një fillim që Lautaro mund të synojë ta përsërisë këtë sezon.
2022-2023: 1 gol në 2 javët e para (gjithsej 165’)
Titullar dhe 90 minuta në fitoren 1-2 të zikaltërve ndaj Leçes, ku limitohet me një asist, por Lautaro në të dytën do të gjente golin në triumfin 3-0 ndaj Specias. Shënoi edhe në javën e 3-të dhe të 4-t.
2023-2024: 3 gola në 2 javët e para (gjithsej 170’)
Ai aktuali, që e gjen me shiritin e kapitenit në krah, është më efektivi për Lautaro Martinezin në këto gjashtë sezone me një gol çdo 56’. Monza dhe më pas Kaljari ishin viktimat e deritanishme të 26-vjeçarit, me “demin” që sardët i ka të preferuar, pasi i ka ndëshkuar 9 herë, duke lënë pas Milanin, të cilit i ka shënuar 8 gola.
RONALDO DHE MARADONA – Goli ndaj Kaljarit është i 82-ti në kampionat, me Lautaron që mbërriti një emër si Paolo Rosi. Argjentinasi ka lënë pas nga ana tjetër bashkëkombësin e tij, legjendën Doego Maradona (81 gola në 7 sezone me Napolin), ashtu si Kristiano Ronaldon, që në 3 sezonet me Juventusin regjistroi po ashtu 81 gola.
OBJEKTIVI – Lautaro synon t’i bashkohet “klubit 100” qysh këtë sezon dhe me ritmin aktual do të jetë shumë e thjeshtë. Për momentin është 18 gola larg dhe nëse marrim parasysh se dy sezonet e fundit i ka përfunduar me 21 gola dhe se tashmë ka shënuar 3, mund të presim shumë shpejt një shekull Lautaro.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL