Mes Zhoze Murinjos dhe Stefano Piolit nuk ka thjesht tri vite e një mori trofesh diferencë. Secili e përjeton dhe sheh futbollin në mënyrën e tij, ndaj sot në “Olimpico” mund të asistojmë në një duel botësh që në Serinë A është i pashoq për vetë cilësitë profesionale dhe vizionare të secilit. Këtë e dëshmon edhe analiza e publikuar nga “La Gazzetta dello Sport“.
KËTU ROMA – E kotë ta mohojmë që Zhoze Murinjo është një fitues i lindur. Për këdo që ka ndryshime, le t’u hedhë një sy 26 trofeve të portugezit. Sukseset e tij, ndër vite, kanë pasur si emërues të përbashkët mbrojtjen solide. Kjo nuk do të thotë që ka rreshtuar ekipe me formacione të mbyllura prapa, pasi edhe sulmuesit nuk kanë munguar në karrierën e “Specialit”. Ajo që është e sigurt, është se Mou nuk ka ndjekur kurrë strategjinë e mbajtjes së topit, duke preferuar presingun dhe vertikalizimin e shpejtë. Paradoksalisht, në dy daljet e para sezonale, Roma ka pasur shumë mbajtje topi duke lënë shpesh të zbuluar mbrojtjen ndaj rreziqeve, siç e vërtetojnë 4 golat e pësuar në 180 minuta. Nga ana tjetër, duhet thënë se verdhekuqtë kanë marrë vetëm tetë goditje në kuadrat në këto dy ndeshje të para duke bërë më mirë se çdo ekip tjetër në kampionatet madhore europiane. Ndaj Milanit, çelësi taktik ka gjasë të jenë dyfishimet e markimeve, ndaj fati i lojës do të jetë në varësi të sulmuesve të Romës, të cilët do të duhet të balancojnë ekuilibra kur ekipi i tyre të jetë pa topin në zotërim.
PO PIOLI? – “Idetë e mia i përshtas me karakteristikat e lojtarëve që disponoj”, ka qenë një ndër fjalitë më të përsëritura të trajnerit të Milanit. 4-2-3-1-shi ishte një skemë e qepur në përmasat e Ibrës dhe kulmi i asaj shtrirjeje taktike u arrit me titullin e 2022-shit. Pas thuajse katër vitesh, 57-vjeçari gjeti kurajën për të ndryshuar. Formacion 4- 3-3 dhe merkato me elementë të kërkuar nga ai vetë. Synimi është një Milan më ofensiv, por me parimet e lojës që nuk duhet të ndryshojnë. Agresivitet, rikuperim topi sa më pranë zonës rivale dhe goditje e menjëhershme mbeten refren edhe në këtë sezon të ri, të cilin “djalli” e ka nisur me dy fitore. Reijnders dhe Loftus-Çik deri tani po bëjnë diferencën në mesfushë, ndërkohë që Pulisiçi duket i rilindur. Shigjetat rezervë në harkun e Piolit janë Çukvueze, Okafor dhe Musah, pa harruar ndonjë dhuratë shtesë nga merkatoja.
PROFILET – Murinjo është komunikues i lindur dhe nuk u trembet polemikave. Që kur ka zbarkuar, në rrjetet sociale postimet e tij ngjallin po aq debat sa deklaratat, ndaj duke ia bashkuar këto karrierës së tij, vetëkuptohet përse cilësohet si “Speciali”. Pioli, nga ana e tij, është një trajner tipik me profil të ulët dhe që nuk i preferon rrjetet sociale. Në to përfundon ndonjëherë prej miqve, lojtarëve apo tifozëve, të cilët në vitin 2019 këndonin: “Pioli Out” (Pioli jashtë), ndërkohë që prej dy vjetësh i këndojnë: “Pioli is on fire”.
PANORAMASPORT.AL