Kombëtarja e Shqipërisë U-21 vijon përgatitjet në Stamboll të Turqisë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e muajit shtator të programuara ndaj Armenisë dhe Rumanisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se lista e Kombëtares U-21 ka pësuar ndryshime. Mesfushori i talentuar Adrian Pajaziti ka pësuar një dëmtim dhe pas konsultave me stafin mjekësor nuk do të jetë i gatshëm të japë kontributin e tij në këto dy sfida të rëndësishme për kuqezinjtë.
Ndërkaq, dy futbollistët e tjerë, Enis Asani nga Maqedonia e Veriut dhe Arlind Rexhepi nga Kosova janë bashkuar ditën e sotme me ekipin në Stamboll, pas pajisjes me pasaporta shqiptare dhe do të vihen menjëherë në dispozicion të teknikut Alban Bushi.
Më 8 shtator, kuqezinjtë do të zhvillojnë ndeshjen e parë në udhëtim ndaj Armenisë, duke nisur nga ora 19:00, ndërsa takimi i radhës i Shqipërisë U-21 do të jetë ai kundër Rumanisë në ‘Elbasan Arena’, më 12 shtator në ora 18:30.