Edhe pse nuk preferon të bëjë parashikime për garën për titull, Lotar Mateus kërkon të karikojë Interin për debrin e Milanos, aty ku sipas tij mjafton edhe një fitore minimale pa dominim. Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, ishmesfushori zikaltër analizon merkaton dhe efektet që do të ketë në këtë sezon.
Mateus, a ka lindur ky Inter i bukur nga hiri i Stambollit?
Me më pak gabime para portës, trofeu i Champions League do të ishte në Milano. Tani është një ekip i ri, më i freskët dhe i paparashikueshëm, që mund të përsërisë të njëjtat rezultateedhe nëse nuk është e lehtë.
A do të përmirësohet Markus Turam para portës?
E njihni tashmë: ai ka gjithçka, fizik dhe teknikë në shpejtësi dhe është gati të shpërthejë në një ekip të madh. Për mua, megjithatë, nuk është një numër 9 tradicional. Krahasuar me të, Lautaro apo Arnautoviç është më shumë një qendërsulmues. Markus pëlqen të sulmojë hapësirat, mos i kërkoni të bëjë punën e Lukakut në zonë.
Meqë ra fjala, të habitur nga tradhtia e Romelut?
Në futboll asgjë nuk më befason. Për mua Lukaku ishte dhe mbetet një nga sulmuesit më të mirë në botë, do ta kisha parë mirë edhe te Bajern Mynihu. Inzagi kishte një vizion tjetër dhe e linte gjithmonë në stol. Klubi, megjithatë, ka bërë zgjedhje precize, duke ndjekur filozofinë e trajnerit dhe duke menduar për të ardhmen, prandaj është e kotë të mendosh për të kaluarën.
Zomer pas Onanës. A ka humbur Interi?
Ai nuk do të jetë ndër më të mirët në botë, por mund të vini bast për Zomerin. Në fushë është gjithmonë i përqendruar dhe me stilin e tij, por edhe jashtë, në dhomat e zhveshjes. Ai është i qetë dhe paqësor, le të themi se është ndryshe nga Valter Zenganë kohën time….
Nga ana tjetër, Pavar donte Interin me patjetër.
Ish-drejtuesit, Salihamixhiç dhe Kahn, i premtuan atij se do ta linin të ikte. Më pas gjithçka ndryshoi te Bajerni, madje edhe trajneri, dhe donin ta mbanin në skuadër. E njoh mirë, është një lojtar super profesionist. Vazhdoj të mendoj se ishte në një skuadër superiore te Bajerni, por nuk donte të ishte më mesfushorin si me Tuhelin.
Derbi po vjen. Krahasuar me ato të gjysmëfinaleve të Champions League, a ka zvogëluar Milani hendekun?
Milani gjithashtu ka vepruar në mënyrë inteligjente në merkato dhe e ka nisur shumë mirë kampionatin. Do të jetë një derbi i shkëlqyer, por shpresoj që hendeku të mbetet dhe Interi të qëndrojë gjithmonë pak më lart. Edhe pak, edhe nga një hap. Mjafton një 1-0, pa dominimin që patën në Champions League për të ruajtur epërsinë në qytet. Pastaj për titullin sfida do të jetë shumë e gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Fotoja juaj më e bukur në derbi.
Nuk ka një moment të veçantë, po marr rezultatin e përgjithshëm. Milani ishte skuadra më e fortë në botë, por ndaj tyre kam fituar më shumë se sa kam humbur. Tre fitore dhe një humbje, një krenari e madhe edhe falë Trapatonit.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL