Mërgim Vojvoda, është shfaqur shumë i zhgënjyer pas humbjes ndaj Rumanisë dhe thirrjeve shoveniste të tifozëve rumunë.
Mbrojtësi i Kosovës, Vojvoda tha se pritja nga rumunët ishte pa pikë respekti dhe në vitin 2023 s’ka mundësi të ndodhin këso gjëra.
“Të fusin brenda dhe me të lënë me pritë 40 minuta e duke ta sharë shtetin, për mua s’ka mundësi të ndodhin këso gjëra. Jam shumë i zhgënjyer. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin sot, këto gjëra janë racizëm. Kemi gabuar që jemi kthyer në fushë. S’bën të lejohet me t’u sha shteti. Familjet tona kanë derdhur gjak që të vijmë deri këtu dhe për të qenë të njohur si shtet, e në vitin 2023 midis Rumanisë me të sha si serb. Ju koftë falë që s’është gjallë Adem Jashari, se ua kish ***”, tha Vojvoda, për Klan Kosova.
Tutje, ai tha se ndërprerja e ndeshjes për disa minuta ndikon shunmë, teksa kritikoi edhe referimin në rastin e kartonit të kuq për sulmuesin Vedat Muriqin.
“Ndikon shumë sepse, siç edhe u sill loja, Vedatit ia dha dy kartonë të verdhë. Pastaj kur luan 70 minuta me 10 lojtarë është shumë e vështirë. Ndikoi fizikisht e në shumë gjëra”.
“Në fillim i patëm disa raste, por loja ndryshoi pas asaj ndalesës dhe pastaj kur mbetesh me 10 lojtarë është ndryshe. Mendimi im është që gabimi tek referat sepse është dashur ta ndalojnë lojën”, tha ai.