Do të jetë një derbi i klasit të lartë, por me një vlerë po ashtu të lartë. Përbërja e Interit dhe Milanit vlejnë thuajse 550 milionë euro secila, shifra që do ta dërgojnë në një miliardë euro duelin e së shtunës, referuar “Transfermarkt”. “Djalli” vlen sot më shumë, saktësisht 550.2 milionë euro me Rafael Leaon si xhevahirin e skuadrës, ndërkohë që në krahun tjetër zikaltrit vlejnë 549.2 milionë me më i vlefshmi prej tyre është kapiteni Lautaro Martinez.
ZIKALTRIT – Në krye të Interit është Lautaro, i vetmi që ka një vlerësim treshifror prej 100 milionë eurosh. Argjentinasi nuk kushtonte kaq shumë as kur Barcelona e kërkonte në 2020-ën dhe rritja e tij ka qenë e dukshme, ashtu si ka qenë edhe për Nikolo Barelën, që kushton sot plot 70 milionë euro. Nuk është rastësi që të dy janë mes kandidatëve për të fituar “Topin e Artë”. Alesandro Bastoni plotëson podiumin dhe pritet ta rrisë gjithmonë e më shumë vlerën e tij aktuale prej 60 milionësh. Vetëm 23 vjeç italiani është shtyllë e prapavijës zikaltër dhe e asaj të kombëtares. Fill pas podiumit vjen Hakan Çalhanoglu (40 milionë euro), simbol i operacioneve me parametër zero. Turku iu rrëmbye Milanit në mes të kaosit të Eriksenit dhe me të Interi fitoi dy herë: kur e zgjodhi si pasardhës të danezit dhe kur i ndërroi rolin e tij, duke pasur kështu mundësinë për të shitur Brozoviçin pa shumë probleme. Idealja është pikërisht kjo: të gjendet zgjidhja për të ardhmen në shtëpi, arsye për të cilën është besuar edhe te Fratezi. Blerja më e shtrenjtë e verës në Serinë A, Benzhamë Pavar, ashtu si bashkëkombësi i tij Markus Turam janë dy afrimet e reja që aktualisht vlejnë 40 milionë euro, me Interin që gjithmonë e më shumë po ndjek strategjinë për t’u besuar të rinjve me të ardhme.
KUQEZINJTË – Vlera aktuale e organikës së “djallit” është lehtësisht më e lartë se e Interit dhe edhe në këtë drejtim dominon boshti i fushës: Rafael Leao, Majk Menja dhe Teo Hernandez. Ata janë tre lojtarët e Milanit që vlejnë më shumë: 100 milionë për portugezin, 70 për portierin francez dhe 65 për ish-mbrojtësin e Real Madridit. Të ardhurit e rinj të verës menduan gjithashtu t’i rrisin vlerën grupit. Ruben Loftus-Çik dhe ish-shoku i tij te Çelsi, Kristian Pulisiç vlejnë secili nga 30 milionë euro, me kartonin e Samuel Çukvuezes që vlerësohet me 27 milionë dhe atë të Tijani Reijnders 26. Simboli i klubit ama në ketë drejtim ngelet Malik Çau. Për transferimin e mbrojtësit nga Shalke një vit më parë janë paguar 8.5 milionë euro dhe në vetëm një sezon nën urdhrat e Piolit gjermani e ka trefishuar vlerën e tij. Çau sot kushton 25 milionë euro dhe është një prej të besuarve të teknikut kuqezi, jo keq për dikë që një vit më parë ishte i fundit në hierarkinë e qendërmbrojtësve të Milanit. Nuk ka mbaruar ama, sepse Çau vazhdon të rritet dhe me hapësirat që ka në dispozicion, te Milani presin shumë nga 22- vjeçari. Si fillim, Çau duhet ta nisë nga derbi, ku detyrat duhen të ekzekutohen në mënyrë perfektë nga të gjithë protagonistët.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL