Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, sot morën pjesë në punimet e Kongresit të 16-të të rregullt të Federatës Evropiane të Hendbollit.
Në rend të ditës kishte pika të shumta, duke përfshirë ndryshimin e disa neneve në Statut dhe ndryshimin e disa rregulloreve.
Gjatë qëndrimit në Basel të Zvicrës, Saraçini e Gjinovci u takuan me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa dhe presidentin e EHF-së, Michael Wiederer.
“Gjatë takimit, presidenti Wiederer falënderoi FHK-në për organizimin e shkëlqyer të Evropianit për hendbolliste në Prishtinë”, shkruhet në njoftimin e FHK-së.
Ndërkohë presidenti i IHF-së, Moustafa, nesër në selinë e tij në Basel pret në takim Saraçinin e Gjinovcin ku do të diskutohet për “IHF Trophy” që mbahet muajin tjetër në vendin tonë dhe për projekte të tjera.