Investimet e Federatës Shqiptare të Futbollit në infrastrukturën sportive nuk ndalen dhe vazhdojnë me ritme të larta. Pas përfundimit të fushave të reja në Arbanë te kompleksi i Dinamos, në njësinë Ahmetaq të Bashkisë së Vorës, tashmë është gati edhe një tjetër fushë e re me përmasa standarde që do të jetë në dispozicion për futbollistët e rinj në qarkun sportiv të Tiranës.
Qendrës së Ekipeve Kombëtare në Kamëz i është shtuar edhe një fushë e tretë me tapet artificial, e ndërtuar nga e para e që e çon në tre numrin e fushave në këtë kompleks. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fushe, që tashmë është vënë dispozicion të fëmijëve që aktivizohet me futbollin e moshave.
Presidenti Duka, i cili shoqërohej nga disa figura të rëndësishme të futbollit shqiptar ndër vite, u takua me fëmijët e disa prej akademive që stërviten në këtë kompleks dhe u premtoi atyre se FSHF do të vazhdojë të investojë që t’u krijoi kushte sa më të mira për të luajtur futboll.
“Projektet e Federatës së Futbollit për të përmirësuar infrastrukturën e stërvitjes janë pikërisht projekte për ju, për fëmijët që stërviten këtu, por jo vetëm këtu. Ky projekt quhet projekti “100 fushat” dhe ka filluar të shpërndahet në të gjithë Shqipërinë. Para pak ditësh përfunduam një fushë në Arbanë, një tjetër në Vorë, vazhdojnë punimet në disa fusha të tjera, me qëllim që ju të keni kushte sa më të mira.
Por jo vetëm ju, edhe shokët e juaj që nuk kanë ardhur akoma në futboll. Edhe ata të afrohen sa më shumë në futboll. Futbolli do t’ju bëjë qytetarë më të mirë, më të shëndetshëm”, – the Presidenti i FSHF-së, duke nxitur njëkohësisht fëmijët që të vazhdojnë të angazhohen në futboll, ndërkohë që do të kenë mbështetjen maksimale nga Federata me uniforma e top falas, por edhe përmes projekteve të tjera në të ardhmen.
“Asnjë nga ju, pavarësisht nëse trajneri do t’ju aktivizojë 90 minuta apo më pak, mos u largoni nga futbolli. Pavarësisht nëse do të bëheni futbollistë apo nuk do të bëheni futbollistë shumë të mirë. Megjithëse ju të gjithë doni të bëheni si Ronaldo apo si Mesi. E rëndësishme është që edukoheni më mirë këtu, se sa ta kaloni kohën jashtë fushave të futbollit.
Pikërisht për këtë Federata e Futbollit bën maksimumin, që juve t’ju krijojë kushte sa më të mira, fusha sa më të mira, profesorët padyshim që i keni të mirë dhe vazhdojnë të punojnë për përmirësimin e tyre. Keni uniforma nga Federata e Futbollit, keni topat gjithashtu”, theksoi Presidenti Duka, teksa shprehur dëshirën që fëmijët e Shqipërisë të bëhen qytetarë të devotshëm dhe futbollistë të mirë në të ardhmen.
“Do mundohemi të bëjmë sa më shumë projekte, që ju të keni kushte më të mira dhe të bëheni futbollistë. Sot jemi për të inauguruar këtë fushë dhe ky projekt do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. Uroj që të bëheni, e para qytetarë të devotshëm për Shqipërinë, por pse jo edhe futbollistë shumë të mirë për të përfaqësuar ekipin kombëtar shqiptar. Nuk është çudi që ndonjë nga ju, apo disa nga ju, ta përfaqësojë Shqipërinë pas pak vitesh dhe të na bëni krenarë, siç po na bën me rezultatet dhe fitoren e fundit kundër Polonisë. Ju uroj suksese dhe uroj që të luani sa më mirë futboll!”, – nënvizoi kreu i qeverisë së futbollit./ h.ll/abcnews.al