Pasditen e së shtunës, mitikun italian “San Siro” do të mirëpresë “derbin e Madoninës”, mes Inter e Milan, të parin për këtë sezon, ndeshje e cila pritet të dhurojë spektakël dhe emocione për futbolldashësit.
Në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës ka folur dhe tekniku i “zikaltërve”, Simone Inzaghi, i cili fillimisht u ndal te forma e mirë e “kuqezinjve” dhe te masat që do të përdorë për të ndaluar anësorin e sulmit, Rafael Leao.
“Duke parë skuadrat, po flas për 11-shet startuese, ne ndryshuam dy lojtarë, ndërsa Milan mendoj tre-katër. Nuk ka shumë ndryshim, janë dy skuadra që kanë rinovuar shumë, të dyja kanë filluar mirë dhe me identiteti i tyre. Nesër nuk është vendimtare, por ne të gjithë e dimë se çfarë do të thotë për fansat tanë. Leao është një lojtar i cilësisë më të lartë. Ne do të përpiqemi të marrim masa, siç bëjmë gjithmonë”,- u shpreh tekniku italian.
Më tej tekniku Simone Inzaghi foli dhe pritshmëritë që ka për derbin, si dhe “shpjegoi” më shumë për publikun se çfarë do të thotë për të, fitorja në një prej përballjeve më prestigjioze në futbollin botëror.
“Do të ishte një mesazh i bukur. Pastaj për sa i përket rrjeteve apo parashikimeve, këto janë gjëra që nuk më pëlqejnë dhe e kam thënë gjithmonë kështu. Deri tre ndeshje më parë thuhej se Interi ishte përkeqësuar sepse humbëm lojtarë shumë të rëndësishëm. Ne nuk përmbahemi, e dimë se çfarë do të thotë kjo fanellë, por e dimë gjithashtu se kemi kundërshtarë të fortë”,- u shpreh “numri 1” i pankinës “zikaltër”.
Në fund të konferencës, tekniku italian foli dhe për lojën sulmuese dhe të shpejtë që prodhojnë “kuqezinjtë”, teksa tregoi për të pranishmit se çfarë do të thotë kjo për lojën “zikaltër”.
“Të parashikosh tani është diçka që nuk mund t’i përgjigjem, e di që përballen me njëra-tjetrën dy skuadra që janë në formë të mirë, që po luajnë futboll të shkëlqyer, që vijnë në këtë ndeshje me sigurinë se kanë pasur një parasezon të shkëlqyer dhe të cilët duhet të organizojnë një ndeshje të rëndësishme pas një periudhe në të cilën kishin shumë lojtarë jashtë”,- tha Inzaghi. /i.m /abcnews.al