Lionel Mesi, Kilië Mbape dhe Erling Haland janë mes 12 kandidatëve finalistë për çmimin “Lojtari Më i Mirë i FIFA-s 2023”. Sulmuesit të Mançester Sitit, i bashkohen në këtë garë gjashtë nga shokët e tij të skuadrës fituese të tripletës, duke përfshirë edhe Edersonin në kategorinë e portierëve, ndërsa edhe trajneri i tyre Pep Guardiola është në garë për çmimin e trajnerit më të mirë të vitit.
Trajneri aktual i Totenhemit, Ange Postekoglu është gjithashtu në garë për atë çmim, pasi fitoi tripletën me Sëlltikun. Ndërsa “qytetarët” dominojnë listën e lojtarëve për meshkuj me gjysmën e kandidatëve, Deklan Rajsi, i cili udhëhoqi Uest Hemin drejt trofeut të Ligës së Konferencës sezonin e kaluar, është gjithashtu i nominuar. Rivalët e Edersonit për çmimin e portierit më të mirë të FIFAs përfshijnë Tibo Kurtuanë e Realit të Madridit dhe Andre Onanën, i cili fitoi Kupën e Italisë dhe arriti në finalen e Ligës së Kampionëve me Interin, përpara se të transferohej te Mançester Junajtidi këtë verë.
Një nga mungesat e bujshme është ajo e Kristiano Ronaldos, sulmuesit të AlNasr. Ndërsa dy herë fituesi i këtij çmimi mungon, nuk është jashtë liste emri i rivalit të tij Lionel Mesi, i cili u transferua te Inter Majami në verë. Periudha e kualifikimit për çmimet e meshkujve nisi nga 19 dhjetori 2022, një ditë pasi fituesi aktual i çmimit, Lionel Mesi, ndihmoi Argjentinën të fitonte Kupën e Botës, deri në gusht 2023. Kandidatët u zgjodhën nga një panel ekspertësh futbolli.
Tani tifozët mund të votojnë për lojtarët e tyre të preferuar në kategori të ndryshme në sajtin e FIFAs (votimi nisi dje dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 6 tetorit), votë e cila do të ketë përqindjen e saj dhe do të ndahet bashkë me votën e përgjithshme të jurisë ndërkombëtare të ekspertëve, e cila do të përbëhet nga trajnerët e ekipeve kombëtare dhe kapitenët e tyre dhe një numër i përzgjedhur gazetarësh sportivë nga e gjithë bota. Fituesit do të shpallen në ceremoninë që do të mbahet në fillim të vitit 2024.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL