Historia e Juventusit është plot me dyshe sulmuesish të mëdhenj. Nga Çarls-Sivori te Boniperti-Hansen, ikona të një të shkuare të paharrueshme, te Rosi-Platini dhe Del PieroTrezege më të fundit, e deri te Tevez-Morata, Higuain-Dibala dhe Ronaldo-Dibala. Duetet që shënuan epoka, dërguan në ekstazë tifozët dhe shkruan historinë e trajnerëve që i kishin falur numrin e lartë të golave të shënuar.
Në versionin e Juventusit 2023-’24, i cili i ka qëndruar thellësisht besnik vetes, përveç disa ndryshimeve të vogla dhe të pashmangshme, ndryshimi po bëhet nga dyshja e fundit sulmuese, e cila në realitet është e vjetër, në kuptimin që të dy ishin tashmë aty sezonin e kaluar. Por ata kishin luajtur dhe kishin shënuar shumë pak bashkë. Dushan Vlahoviç dhe Federiko Kieza janë tashmë fytyra e bukur dhe shkatërrimtare e “zonjës”: të dy shënuan menjëherë në debutimin e tyre kundër Udinezes, duke i bërë gjërat të qarta dhe që nga ai moment nuk u ndalën kurrë.
Kanë shënuar 7 gola, 4 Dushan dhe 3 Fede, dhe statistikat tregojnë se është fillimi më i mirë i 6 viteve të fundit. Për të gjetur një dyshe sulmuese të Juventusit që ka bërë më mirë se ata, duhet të kthehemi pas në 2017-’18, një sezon në të cilin Dibala-Higuain arritën dopioshifra pas vetëm 4 ndeshjesh (10). Dy argjentinasit e përfunduan kampionatin me 38 gola (22 për Joya dhe 16 për Pipita) dhe ishin vendimtarë për të fituar kampionatin e shtatë radhazi, të katërtin me Masimiliano Alegrin në stol.
Një fillim i tillë sprint që as Kristiano Ronaldo, fillimisht me Manxukiçin dhe më pas me Higuainin, Dibalën dhe Moratën, nuk mundi ta përsëriste në tri vitet e tij me Juventusin. Kieza dhe Vlahoviç shpenzuan më shumë kohë duke u kujdesur për njëri-tjetrin vitin e kaluar sesa duke luajtur së bashku: 10 gola për Dushanin, i cili tashmë është në gjysmë të rrugës, dhe 3 për Feden, i cili tashmë ka përmirësuar rezultatin e tij. Me këtë ritëm dhe pa probleme fizike, arritja e 40 golave për të dy nuk është një utopi.
Serbi është një autor i rregullt golash me dy shifra, përveç 10 golave të sezonit të shkuar, ai kishte shënuar 21 dhe 24 në 2020-’21 dhe ’21- ’22. Kieza, nga ana tjetër, arriti në kuotën e 10 golave vetëm një herë me Fiorentinën (2019- 2020), ndërsa me Juventusin rekordi është 8 në 2020-’21. Ata janë një çift atipik, sepse italiani po përshtatet me sukses për të qenë sulmues i dytë, pavarësisht se është anësor, ndërsa serbi është një qendërsulmues klasik, të cilit i pëlqen të kontrollojë zonën e rreptësisë. Krahasuar me Dibalën dhe Higuainin, ata kanë më pak teknikë, por e kompensojnë atë me cilësi të tjera, duke përfshirë fizikun, shpejtësinë dhe goditjen.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL