Humbja e derbit duket një kujtim i largët për Milanin, pavarësisht se ka ndodhur vetëm dy javë më parë. Falë disfatës së Interit me Sausolon në mesjavë, dy ekipet e Milanos komandojnë të vetme Serinë A me pikë të barabarta.
Për shumë specialistë të sektorit, ajo e Inzagit është skuadra favorite për titullin kampion, po deri më tani kuqezinjtë kanë arritur të mbajnë ritmin.
Pesë fitore ashtu si kushërinjtë, teksa bilanci fillon të ngjyroset zikaltër sapo kalojmë te statistikat e tjera. Interi ka shënuar 15 herë dhe është ndëshkuar vetëm tri herë, dy nga të cilat në humbjen e mesjavës, ndërkohë që kuqezinjtë kanë shënuar 13 gola. Edhe goditjet në kuadrat janë më të shumta nga Asllani me shokë. 110 kundër 70 të Milanit në gjashtë javë kampionati.
Nëse godet më shumë, edhe shanset për të hasur në shtylla apo traversa rritën, ndaj Interi e kryeson këtë kategori 3-1. I vetmi aspekt që i buzëqesh “djallit” janë minutat me topin nëpër këmbë.
Nëse Interi preferon kundërsulmet, mbajtja e topit mezi e kalon gjysmë orëshin për ndeshje, ndërkohë që djemtë e Piolit e tejkalojnë këtë shifër me thuajse 3.5 minuta për ndeshje, një sinjal i qartë që kuqezinjtë janë një ekip që qarkullon sferën përpara se të godasë.
PO GOLAT? – Barazia e milanezëve qëndron edhe te golat dhe numri i golashënuesve. Pesëmbëdhjetë për secilën me shtatë lojtarë në gol, por shpërndarja brenda skuadrave respektive ndryshon disi.
Zhiru është golashënuesi më i mirë për “djallin”, por nuk duhet harruar që francezi ka përfituar nga tri penallti të dërguara në rrjetë. 11-metërshat janë një benefit që nuk i është dashur Lautaros për të shënuar pesë herë emrin e tij në tabelën e golashënuesit.
Pas kapitenit zikaltër, vijnë Dumfris, Çalhanoglu dhe Mikhitarian me dy gola, po aq sa i sapoardhuri Turham. Një tjetër prurje e merkatos si Fratezi mbyll tabelën interiste të golit, ku ka vendosur emrin e tij edhe Dimarko.
Te Milani golat janë shpërndarë në mënyrë më demokratike. Leao 3 dhe Pulisiç dy janë të vetmit që kanë dalë nga vetmia e “golit tek” që ka kapluar Hernandezin, Tomorin, LoftusÇikun dhe Okaforin.
Dy të fundit i janë bashkuar “djallit” në verë për një shpenzim total prej thuajse 40 milionë eurosh dhe nëse frytet e para janë këto, atëherë Pioli mund ta përballojë më i qetë duelin në distancë në kryesim me Interin. Të paktën deri në derbin e fazës së dytë.
PANORAMASPORT.AL