Kategoria e Parë nuk ka kohë të marrë frymë. Po zhvillohen ndeshje thuajse çdo tri ditë, por ngjeshja nuk është se u ka bërë fort keq skuadrave.
Dhe sidomos atyre që kanë pretendime për ngjitjen. Ishte një javë me bollëk golash kjo e 5-ta. Por jo për Elbasanin dhe Bylisin. Bashkëkryesueset u treguan vërtetë cinike dhe për pasojë janë në komandë. U kënaqën me fitoret minimale përballë Besës dhe Korabit. Ndryshe vepruan Vora, Flamurtari dhe Apolonia, që gjithashtu po rivalizojnë për të kapur elitën në mbyllje të këtij sezoni. Triumfuan me goleada, duke nxjerrë zbuluar problemet në mbrojtje të Tomorit, Lushnjës dhe Burrelit. Elbasani u mjaftua me një “shkrepje” në Luz, atje ku i priste Besa. Edhe pse ishte një përballje me dy tablo, verdheblutë e Nevil Dedes nuk falën.
Shënuan atë gol me të ngecur në të 40-ën minutë, me autor Arsen Lleshin dhe ditën ta mbronin deri në vërshëllimën e fundit. E njëjta “panoramë” ngjau edhe për Bylisin, që priste në “Adush Muçaj” Korabin. Ballshiotët morën çka deshën, por vuajnë finalizimin. Shpërdoruan aq shumë gjatë gjithë lojës, madje edhe një penallti me Serxhio Eminin. Shpëtimtari erdhi nga mbrojtja dhe në të 73-ën minutë. Aleksandër Trumçi shënoi pak para fundit dhe nderoi skuadrën e drejtuar nga Arian Bellai. U kthye edhe Apolonia. Pasi u mund nga Elbasani kryesues, në “Loni Papuçiu” e bëri më së miri detyrën. “Shpërfytyruan” Burrelin dhe tashmë janë ata të tretët në tabelë. Francis Ene Ndubuisi, Mateo Shanaj dhe ai autogol i Aleks Degjonajt “vulosën” gjithçka. Matjanët nuk kanë asgjë në vijë dhe e shohin veten të zhytur në fund. Asnjë fitore deri më tani, krijojnë rrezikshmëri të madhe për ekipin e Dorjan Bubeqit. Nuk mund të anashkalohet as fitorja te Vora. I dha Tomorit një “shuplakë”, duke konsoliduar pozitat dhe treguar se janë edhe ata në “valle”.
Kesli Shani realizoi një dopietë, ndërsa për “manitën” kontribuuan edhe Jasmin Raboshta, Okseold Sefa e Fatmir Prengaj. Beratasit kanë kontestuar fort gjykimin dhe sidomos për një gol të anuluar, që mund të çonte rezultatin në 2-1. Shou dhuroi edhe Flamurtari. I priste Lushnja në Peqin dhe aty gjetën më në fund qetësinë. Edhe pse pjesën e parë e mbyllën në “thatësi”, në të dytën shpërthyen. Për fiks 40 minuta e “shembën” kundërshtarin, me atë dopietë të Aleksandre di Estefanos dhe golat e Denis Pjeshkës e Fabjan Beqjës. Për verdhejeshilët nuk ka ku shkon më keq, aq sa edhe Gugash Magani tha: “E meritoj të shkarkohem”. Më në fund u gëzua Kastrioti. Pas tri barazimeve radhazi dhe një humbjeje, mposhtën Luzin 2008. Ishte Joan Çela që i ndëshkoi kavajasit në “Redi Maloku”, në një ndeshje që prodhoi tri traversa dhe pati dy gola të tjerë të anuluar
PANORAMASPORT.AL