Pedri fillimisht, më pas De Jong e Rafinja, dhe së fundmi, Robert Levandovski, janë të gjitha dëmtime shumë të rëndësishme për Barcelonën. Të katër lojtarët rrezikojnë “Klasiken” e 28 tetorit kundër Realit të Madridit.
Dhe natyrisht shqetësimi është i pranishëm te Barcelona. Veçanërisht ankthi është i madh kur flasim për Robert Levandovskin, që la fushën e lojës i dëmtuar në takimin e mesjavës në Champions kundër Portos. Te Barcelona shpresojnë në një mrekulli dhe në të dhënat e shkëlqyera fizike të sulmuesit polak. Ndonëse 35 vjeç, ai është një fenomen fizik. Pavarësisht se ka kaluar 14 sezone në nivelin më të lartë konkurrues në dy nga ligat kryesore europiane, Gjermaninë dhe Spanjën, sulmuesi vështirë se është dëmtuar për periudha afatgjata. Në fakt, ai nuk ka qëndruar kurrë nga fusha për më shumë se 28 ditë. Tifozët e Barcelonës po kryqëzojnë gishtat që ai të shërohet sa më shpejt nga ndrydhja e kyçit të majtë që pësoi në Porto. Ai do të mungojë nesër në fushë kundër Granadës, por pikëpyetja e madhe mbetet “El Clasico”. Ndeshja kundër Realit është më 28 tetor. Ndërkohë që ai u largua nga “Do Dragao” të mërkurën e kaluar, ditën e 4-t. 24 ditë ndajnë të dyja datat e rëndësishme. Në Barcelonë askush nuk guxon të hamendësojë nëse ai do të jetë në dispozicion të Ksavit për ndeshjen kundër Realit të Madridit. Por askush nuk e përjashton as atë. Në fakt, ka pasur vetëm dy raste në të gjithë karrierën e tij në të cilat Levandovski ka qenë larg fushës së lojës për më shumë se 24 ditë për shkak të një sëmundjeje: të dyja ishin kur ai luante për Bajernin dhe në të njëjtin sezon. Në sezonin 2019-‘20 ai nuk ishte në shërbim të Flikut për 26 ditë. E ndërkohë që Barcelona bën llogaritë me laps e letër për gjendjen fizike të Levandovskit, nga ana tjetër është Myrto Uzuni që e sfidon me Granadën. Sulmuesi kuqezi është parashikuar të jetë titullar për takimin e së dielës.
PANORAMASPORT.AL