Mario Balotelit nuk i pëlqeu shakaja e bërë nga Zlatan Ibrahimoviç në festivalin e sportit, ku suedezi deklaroi se nuk ka krahasim mes Rafael Leaos dhe “SuperMarios”, sepse “njëri luan për Milanin dhe është gjeni, ndërsa tjetri është në tribunë dhe ka humbur shumë shanse”.
Pasi iu përgjigj me një foto me trofeun e Championsit në “Instagram”, Baloteli e ka bërë këtë edhe në “TV Play”. “Ishte e çuditshme që Zlatan më sulmoi publikisht pa arsye. Leao ka goditje gjeniale, jam dakord me të për këtë. Nuk e kuptova se çfarë donte të thoshte me frazën: ‘Baloteli është në tribunë’. Ishte një dalje budallaqe, ka krijuar këtë personazhin e Zotit dhe e luan. E postova foton me Championsin? Doja të thosha që kam luajtur ndeshje të rëndësishme, ndoshta ai u zhduk në disa”, është shprehur Baloteli duke u ndalur më pas te raporti dhe triumfi në 2010-ën.
RAPORTI ME IBRËN – “Unë e kam fituar Ligën e Kampioneve me Interin dhe e ndiej timen këtë sukses, nuk e kam dyshuar ndonjëherë, sinqerisht. Unë dhe Ibrahimoviçi kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie normale, nuk ka qenë e lehtë të luash me të, sepse ai të mërzit. Unë kam një karakter më të fortë se i tijin, prandaj nuk e kam vuajtur aq shumë. Por me të ama gjithmonë ia del mbanë të japësh maksimumin, ndikimi i tij ishte konstruktiv për mua. Ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes së Milanit në titullin e fundit?
Nuk e di, ai ishte sigurisht vendimtar në fushë dhe ai ishte vendimtar me mua edhe tek Interi. Por nuk është një vëlla i madh për mua. Në këtë rol ka qenë më shumë Materaci. A ka qenë ndonjëherë ai golashënuesi më i mirë në Europë? Nuk mendoj kështu. Lamtumira e Ibrahimoviçit nga Interi në 2009- 2010 e ndihmoi skuadrën të fitonte Ligën e Kampioneve. Me Shnajderin shumë mirë, kurse Milito atë vit meritonte “Topin e Artë”, pasi shënonte kudo. Eto pastaj ka qenë gjithmonë vendimtar. Nuk e di nëse Ibra do të kishte bërë rezervën atë vit, për këtë duhet të pyesni Murinjon”.
KARRIERA DHE PENGJET – “Nuk i kam hedhur të gjitha shanset në karrierën time. Kam bërë disa gabime, mund të kisha menaxhuar talentin ndryshe. Ibrahimoviç ka të drejtë që mund të kisha bërë më mirë, por nuk ka të drejtë për gjithçka. Ndoshta edhe unë mund të kisha fituar një “Top të Artë”, mund ta them lehtësisht këtë, kam tri pendesa për karrierën. Nuk duhet të isha larguar kurrë nga Interi në atë moment, edhe pse ishte Benitez ai që shtynte për transferimin tim. Ndoshta mund të kisha bërë histori për zikaltrit. Nuk duhet të isha larguar kurrë nga Siti dhe nuk duhet të kisha shkuar te Liverpuli”.
PANORAMASPORT.AL