Ndaj Juves do të jetë ndeshja e katër si titullar për Milanin. Diçka e paimagjinueshme në fund të sezonit të kaluar kur dukej nga lojtarët e destinuar për t’u shitur. Jasin Adli nuk u largua edhe kur Stefano Pioli i shpjegoi në ditën e parë të grumbullimit se nuk e kishte në planet e tij. Në një rol të ri, francezi po tregon vlerat e tij ndeshje pas ndeshje duke marrë minutat që i kishte ëndërruar gjithmonë.
Ai është një beniamin i tifozëve edhe pse ka luajtur pak, teksa edhe shokët e duan shumë. Për të kuptuar më shumë mbi këtë “besim” të verbër, shërben edhe intervista e dhënë dje për “Sportmediaset”.
Si ndjeheni Jasin?
Ndalesa e kombëtareve na shërbeu për të punuar pak më shumë mbi formën fizike. Sidomos ne që luajmë disi më pak. Në ndeshjet e fundit kam qenë titullar dhe po mundohem të rritem në të gjitha aspektet. E di që po bëj mirë, por di gjithashtu se është vetëm fillimi.
Jeni gati për ndeshjen e radhës?
Kam punuar gjithmonë për t’u gjendur i gati kur skuadra e trajneri të kishin nevojë. Në verë mund të isha larguar, po qëndrova sepse e kam ndjerë veten gjithmonë pjesë e këtij grupit fantastik me njerëz të mrekullueshëm.
E të mendosh që Pioli për pak ju largoi?
Trajneri ka qenë i sinqertë dhe kjo vlen shumë. Para ndeshjes me Romën ishte mbyllur merkato dhe ai më shprehu lumturinë për faktin se nuk isha larguar. Ajo bisedë ndryshoi gjithçka dhe i thash të më besonte sepse do të jepja gjithçka për fanellën e Milani.
Qëndruat, por duhet thënë gjithashtu se nuk luani në rolin tuaj?
Ai i organizatorit para mbrojtjes është një rol i ri. Gjatë gjithë karrierës kam luajtur si fantazisti ose si i tretë në mesfushë, megjithatë mjafton fakti që luaj për të mos e ndjerë këtë ndryshim kaq të madh.
Krahasimet nuk kanë munguar. Jeni më shumë si Pirlo apo si Zidan?
Unë jam thjesht Adli. Pirlo e Zidan kanë qenë fantastikë, por kanë qenë në nivele shumë të vështira për t’u arritur. Unë dua të jap më të mirën për Milanin dhe të rritem falë ndeshjeve dhe konkurrencës me kampionët që kemi në skuadër.
Çfarë kujtoni nga ndeshja e parë në “San Siro”?
Është një stadium aq i pabesueshëm sa që nuk mund të përshkruaj dot me fjalë ato që ndjehen kur luan aty. Jam shumë i lidhur me Milanin dhe i di të gjitha koret e tifozëve.
A mund të synojë ky Milan titullin?
Kur je te Milani, gjithmonë luan për të fituar, është një nga objektivat tona, por nuk i bëjmë presion vetes. Të rruaj flokët në rast titulli apo Championsit? Jo, nuk do ta bëja kurrë…
Të dielën është Juventusi. Çfarë prisni nga kjo ndeshje?
Jemi të parët por e dimë që rruga është e gjatë. Duam të fitojmë diçka të madhe. Kundër Juves do të jetë e rëndësishme, por ne gjithmonë zbresim në fushë dhe përpiqemi të fitojmë.
PANORAMASPORT.AL