Java e 9 e Serisë A dhuron një ndeshje të madhe mes Milanit dhe Juventusit, dy skuadrave të cilat kanë ambicie të qarta që të luftojnë për titullin kampion. Por të dy palët vijnë në këtë sfidë me mungesa të rëndësishme për shkak pezullimesh apo dëmtimesh.
Te Milani mungojnë për pezullim Menja dhe Teo Hernandez, ndërsa ka të dëmtuar emra si Benaser, Kaldara e Çukvueze. I dëmtuar, por me shpresë se mund t’ia dalë, është edhe Loftus-Çik.
Te Juventusi, Alegri nuk ka në dispozicion për këtë sezon Pogba e Faxholi, të dy të pezulluar. Aleks Sandro është prej kohësh jashtë, por ndeshjet e fundit të kombëtareve e bëjnë të përballojë këtë duel edhe pa Danilon. Në dyshim, edhe në këtë rast, është Federiko Kieza.
Si rrjedhojë, një skuadër e përbashkët e të dëmtuarve nga dy ekipet, do të ishte e mjaftueshme për të kërcënuar shumë prej pretendentëve në Serinë A, siç mund të shihet në vijim:
Mungesat Milan-Juventus: Menja; Danilo, Kaldara, Aleks Sandro, Teo Hernandez; Loftus-Çik, Benaser, Pogba; Kieza, Faxholi; Çukvueze.
PANORAMASPORT.AL