Xhaketa dhe kollarja e hequr në nerva e sipër nga Masimiliano Alegri në minutat e fundit të Milan-Juventus është vetëm shfryrja e radhës e trajnerit. Diçka e ngjashme i ka ndodhur dy vjet më parë kundër Veronës, teksa origjina është në një ndeshje kundër Karpit në dhjetor të 2015-ës. Inat i përzier me frikën e një fitoreje që mund t’i shpëtonte e detyruan trajnerin livornez në shpërthime që nuk janë raste të izoluara.
Përkundrazi, “Konti Maks” di se si të japë spektakël edhe duke qëndruar në stol, madje në disa raste rrezikon edhe ndonjë dëmtim, duke parë se tabelat publicitare që qëndrojnë afër pankinave tashmë janë shënjestra që tekniku i Juventusit të lërë gjurmën e tij. Kjo ndodhi edhe kundër Milanit, pas një topi të humbur në fundin e ndeshjes, i cili u lejoi kuqezinjve mundësinë e një kundërsulmi, por fatmirësisht pa dëme për “zonjën e vjetër”.
SHKELMA BY… – “Këta meritojnë shkelma by…”, thoshte me vete teksa futej në dhomat e zhveshjes të stadiumit të Dohas pas finales së Superkupës së humbur kundër Milanit, teksa pak muaj më pas përsëri nga buzët e Alegrit lexohet një: “Kokëbo…, ik p…” drejtuar Bonuçit.
ME SAKIN – Polemika me ish-trajnerin zgjat për dy vite. Në 2014-ën akuzohen në mënyrë të ndërsjellë për këndvështrime të gabuara, teksa në 2016-ën i kujton Sakit moshën. Me Adanin dhe opinsionistin Kataneo të tjera diskutime të ndezura që bëjnë historinë e televizionit sportiv të kohëve moderne. AS
SHTRËNGIM DORE – Me Spaleti një histori krejt tjetër e përbërë nga thumbime në tension e sipër e shigjetime në distancë. Alegri e akuzon për presion ndaj arbitrit, teksa tekniku aktual i Italisë ia kthen me mungesën e xhentilesë për rastet e rralla që fiton një ndeshje.
E MORI DREQI – Alarmi i Alegrit përsëri pikaset nga leximi i buzëve, teksa në korridoret e “San Siro”-s, pas një humbjeje kapet duke thënë me vete: “Ta hajë dreqi, këta duan të luajnë te Juvja”. Një frazë drejtuar lojtarëve të tij.
0 TITUJ – Më 12 maj 2022 mbyllet sezoni i parë alegrian pa tituj. Arbitri detyron Juven të përsërisë penalltinë dhe Alegri heq përsëri xhaketën. Më pas me tone të ashpra i drejtohet stolit të Interit, pasi dikush nga zikaltrit i ka dhënë një shkelm këmbëve në festën e golit të Perisiçit.
INAT GËZIMI – Ndaj Specia më 31 gusht 2022 Juvja po fiton minimalisht, por De Shiljo gabon një pasim. Në aksionin pasardhës është Milik që dyfishon rezultatin dhe Alegri nga nervat godet një tabelë reklame.
SHFRYRJE – Teksa në 2018-ën i kishte kujtuar Bernardeskit në fushë se Juvja nuk është si Fiorentina, vjet trajneri bardhezi shfrynte ndaj Di Marias. Në ndeshjet e fundit e kanë pësuar Kieza dhe Lokateli për vendime të rrezikshme gjatë minutave të fundit.
ZËVENDËSIMET – Ndaj Fiorentinës, Federiko Kieza zëvendësohet me Leandro Paredesin dhe mezi e gëlltit vendimin e trajnerit. Juvja fiton edhe për anulimin e golit të Kastrovilit, teksa Alegri u hakërrehet disa tifozëve që e kishin thumbuar për zëvendësimet. Madje, ai e fton tifozin që të zbresë nga tribuna dhe ta zgjidhin sfidën si burrat…
URIM FALS – Vjet braktiste para kohe pankinën në ndeshjen me Napolin, teksa në dalje nga fusha uronte në distancë rivalët duke ironizuar me faktin se më në fund po fitonin një titull pas kaq shumë vitesh.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL