Nga ARRIGO SAKI
Milani shkoi në Paris për ndeshjen më delikate të grupit të Champions-it, por pësoi një disfatë të tmerrshme pas tre golave. Ajo në Francë ishte diçka më shumë se thjesht një humbje të rëndë. Një mbrëmje e errët, nuk gjej fjalë tjetër për të përshkruar atë që ndodhi me Milanin.
Tre gola të pësuar dhe asnjë i shënuar. Një disfatë e stërmerituar, për shkak të mungesës së organizimit nga ana e ekipit kuqezi, por edhe prej agresivitetit dhe cilësive fizike e atletike të kundërshtarëve.
Pyetje djallëzore: Kur do ta kuptojmë ne italianët se për të luajtur në Europë duhet të luash një futboll tjetër, të bazuar mbi kolektivin, te ritmi, në mirëkuptimin mes reparteve?
Përveç rezultatit, i cili shpesh ndikon në gjykimet në Itali, le të shohim se si ishin kuqezinjtë në fushë. Djemtë e Piolit ishin shtrirë taktikisht shumë të gjatë dhe shpesh u befasuan nga kundërsulmi i francezëve (që nuk mund të lejohej nëse kundërshtarët janë Dembele dhe Mbape).
Në Paris pashë një Milan modest, një ekip ku nuk kishte lidhje mes sulmit dhe mesfushës apo mesfushës dhe mbrojtjes. Me pak fjalë: Milani nuk ishte një ekip, nuk ishte një kolektiv. Fatkeqësisht, një ndeshje e keqe, e interpretuar po aq keq.
Vura re shumë konfuzion në ide dhe zbatimin e tyre. Asnjëherë nuk kishte rregull në fushë, që pasimet të ishin të sakta dhe të shpejta.
Është e vërtetë që kuqezinjtë patën disa raste, por është gjithashtu e vërtetë që francezët gjithmonë kishin kontrollin e lojës dhe mund të kishin shënuar disa gola të tjerë.
Tani e shoh vërtet e komplikuar që Milani të kualifikohet, ndaj mendoj se Pioli duhet të shohë ndeshjet e mira të së kaluarës dhe të mundohet të ripërdorë aspektet pozitive. E vërtetë që koha është e pakët, por është po aq e vërtetë se kuqezinjtë kanë dhënë më të mirën në momente të larta presioni.
PANORAMASPORT.AL