Derbi mes Mançester Junajtidit dhe Mançester Sitit po afron. Të dielën Premier Liga do të shijojë një nga rivalitetet më të forta të sezonit në “Old Trafford”. Pas blerjes së klubit të Sitit nga sheikët rivaliteti është bërë më i madh. Në vitin 2009, menjëherë pas përfundimit të huazimit te Junajtidi, Karlos Tevez u transferua te rivalët e tyre të qytetit.
Argjentinasi shkaktoi tërbim në krahun e kuq të Mançesterit, me tifozët e zemëruar, të cilët dogjën edhe fanella me emrin e tij. Ish-sulmuesi, megjithatë, nuk ishte i fundit që u transferua brenda qytetit. Duke ardhur nga akademia e Sitit, mbrojtësi anësor me origjinë shqiptare, Frederik Veseli, kaloi te rivalët në janar të vitit 2012, pa debutuar në ekipin e parë, drejtuar atëherë nga Roberto Mançini. Por talenti i kombëtares zvicerane të moshave atëherë nuk la gjurmë në “Old Trafford”.
Në një vit e gjysmë në klub, mbrojtësi luajti me ekipin e parë në miqësoret gjatë parasezonit 2012- ‘13, i fundit nën komandën e Sër Aleks Fergusonit, duke mbetur pjesë e ekipit U-21. Aty luajti 23 ndeshje dhe shënoi një gol. Në korrik 2013, ai u transferua tek Ipsuiçi dhe më pas pati edhe përvoja te Salernitana dhe Empoli në Itali. Në nëntor 2015, ai u natyralizua për të luajtur për Kombëtaren shqiptare, ku u thirr në Europianin e 2016-ës. Sot, në moshën 30-vjeçare dhe nën komandën e Silvinjos në ekipin kombëtar, ai ëndërron një tjetër rikthim në Europian verën e ardhshme në Gjermani.
PANORAMASPORT.AL