Një propozim krejt i papritur nga Maks Vershtapen, i cili zbuloi pasionin e tij për futbollin dhe për skuadrën PSV Eindhoven. “Unë mund ta zgjas kontratën time për një vit, deri në vitin 2029 me Red Bullin dhe në atë sezon do të pranoja të mos fitoja, nëse PSV do të triumfonte në Ligën e Kampionëve”, u shpreh holandezi, duke dhënë dy lajme në një:
Mbështetjen e tij (ekstreme) për ekipin e Eindhoven dhe marrëdhënien gjithnjë e më solide me Red Bullin. Viti 2029 është një datë e përmendur jo rastësisht. Nëse Maks do të vazhdonte me këtë ritëm, në vitin 2028 ai do të fitonte titullin e tij të tetë botëror, duke tejkaluar rekordmenët, Shumaker dhe Hamilton, të cilët kanë nga shtatë tituj kampionë në Formulën 1. Bujar për PSV-në e tij, por ende një “kanibal” në pistë. Vershtapen e ka vënë në shënjestër rekordin e kampionateve botërore dhe nuk ka aspak ndërmend të ndalet.
Kujtojmë se Formula 1 dhe futbolli janë një kombinim i njohur. Luis Hamilton është tifoz i Arsenalit, edhe pse ai mendoi të blinte Çelsin vitin e kaluar. Karlos Sainz është parë shpesh në tribuna në “Bernabeu” për të ndjekur Real Madridin, ashtu sikurse edhe Fernando Alonso, i cili është anëtar nderi i “Los Blancos” që nga viti 2017. Sharl Lëklerk mbështet Monakon, ndërsa Gasli është tifoz me PSGnë, por simpatizon gjithashtu edhe Milanin.
PANORAMASPORT.AL