Pep Guardiola pranoi se nuk mund ta imagjinonte që Mançester Siti të krijonte një dominim të tillë mbi fqinjët e Junajtidit kur ai mori drejtimin e stolit në “Etihad” në 2016. Trajneri i Sitit regjistroi një tjetër fitore në derbin në “Old Trafford” të dielën, në derbin e tij të 20-të të Mançesterit, një rezultat dhe performancë që nënvizoi hendekun që ekziston midis dy klubeve.
Pas 10 javëve, Siti renditet nëntë pikë më shumë se “djajtë” dhe luan në një tjetër nivel. Në të vërtetë, që kur Guardiola mori drejtimin e “qytetarëve”, Siti është bërë fuqia mbizotëruese e Premier Ligës, duke fituar pesë nga gjashtë titujt e fundit dhe tripletën historike vitin e kaluar. Katër trofetë e mëdhenj që ata kanë fituar që nga fillimi i sezonit të kaluar janë aq sa Junajtidi ka arritur të fitojë që kur Sër Aleks Fergusoni u tërhoq 10 vjet më parë.
Megjithatë, Guardiola pranoi pas suksesit të fundit se priste që të mos kishte kurrsesi një diferencë kaq të madhe me 20 herë kampionët e Anglisë kur erdhi për herë të parë në ishull. “Unë e di se çfarë ne kemi bërë. Nuk e di se çfarë ka bërë Junajtidi sepse unë nuk jam këtu”, tha ai. “Por nuk e prisja, sinqerisht, kur mbërrita këtu me Zhoze Murinjon (në krye të Junajtidit), me (Zlatanin) Ibrahimoviçin (në sulmin e Junajtidit), me lojtarët të nivelit më të lartë, Lukaku (u transferua në 2017)…
E kam thënë shumë herë, ne jemi në të njëjtin drejtim, presidenti, administratori, drejtori sportiv, menaxheri dhe lojtarët”, tha Guardiola. “Ne shkojmë atje, gabim apo drejtë nuk ka rëndësi, ne shkojmë atje. Ne bëjmë gabime sigurisht. Kur humbasim ose situata nuk shkon mirë, nuk jemi këtu për të fajësuar dikë. Do të bëjmë më mirë. Çfarë duhet të bëjmë për të gjetur një zgjidhje? Kështu e kemi bërë që nga dita e parë. Sezonin e parë nuk fituam. Nuk e pash presidentin tim të ankohej, absolutisht jo. Ai më mbështeti pa kushte. Më kujtohet kur humbëm finalen e Ligës së Kampionëve me Çelsin, ishim të shkatërruar.
Unë isha i shkatërruar. Dhe presidenti tha: ‘Do ta fitojmë, herët a vonë. Çfarë duhet të bëjmë më pas? Hajde, le të shkojmë’. Klubi ka besim tek unë, lojtarët e dinë që unë kam besim tek ata. Kur kjo ndodh, ne nuk kalojmë në eufori kur fitojmë dhe nuk është dramë kur humbasim. Dakord, është një lojë futbolli, çfarë duhet të bëjmë për t’u përmirësuar? Kjo është arsyeja pse unë mendoj se organizimi i klubit është kaq i qëndrueshëm”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO -PANORAMASPORT.AL