Trajneri i Portugalisë, Roberto Martínez, ka reaguar ndaj kritikave për përfshirjen e Cristiano Ronaldos në planet e Portugalisë për Kupën e Botës 2026, duke insistuar se mosha nuk duhet të jetë kriteri kryesor për përzgjedhjen e lojtarëve.
Ka tifozë që besojnë se ylli portugez nuk meriton më një vend në skuadër për turneun e ardhshëm botëror, por Martínez theksoi se çdo vendim merret bazuar në paraqitjet aktuale të lojtarëve dhe jo në reputacionin apo të kaluarën e tyre.
“Ne vlerësojmë vetëm atë që ndodh në moment. Vendimet merren nga ndeshja në ndeshje dhe fokusi është gjithmonë te performanca e radhës. Kush e kryen më mirë detyrën në fushë, ka më shumë mundësi të luajë”, u shpreh Martínez.
Ai foli edhe për ndikimin e rregullit të 5 zëvendësimeve, duke thënë se futbolli modern kërkon kontribut të madh nga gjithë skuadra, jo vetëm nga formacioni titullar.
“Sot mund të ndryshosh pesë lojtarë gjatë ndeshjes dhe kjo e bën shumë të rëndësishëm edhe ekipin që futet nga stoli”, përfundoi trajneri.