Tuesday, 14. July 2026
Sport

​A ka Franca plan të veçantë për ta ndalur Yamalin?

GS 14/07/2026 2 Min. Lesezeit

Adrien Rabiot ka deklaruar se Franca nuk ka përgatitur ndonjë plan të veçantë për ta neutralizuar Lamine Yamalin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës kundër Spanjës, duke theksuar se fokusi i “Les Bleus” është te e gjithë skuadra kundërshtare dhe jo vetëm te talenti 18-vjeçar.

Mesfushori francez u pyet në konferencën për media nëse trajneri Didier Deschamps ka hartuar një strategji të posaçme për të ndalur yllin e Barcelonës, por ai e mohoi një gjë të tillë. “Nuk ka ndonjë plan anti-Lamine Yamal. Ne po përgatitemi për të përballuar Spanjën si ekip. Ata kanë shumë lojtarë cilësorë dhe nuk mund të përqendrohesh vetëm te një futbollist”, deklaroi Rabiot.

Rabiot foli edhe për deklaratat e tij para gjysmëfinales së Euro 2024, kur kishte thënë se Yamal duhej të bënte më shumë për të luajtur një finale të madhe. Atëherë, sulmuesi spanjoll iu përgjigj në fushë duke shënuar një gol spektakolar në fitoren e Spanjës ndaj Francës.

Mesfushori francez pranoi se Yamal është zhvilluar jashtëzakonisht shumë. “Ai është një lojtar i madh dhe e ka dëshmuar këtë. Por ne nuk kemi frikë nga askush. Respektojmë Spanjën, por kemi besim te cilësitë tona dhe do të luajmë për të siguruar kualifikimin në finale”, u shpreh Rabiot.

Teilen: