Presidenti i skuadrës së Ferizajit, Lulzim Abazi, ka reaguar ashpër lidhur me pozitën aktuale të skuadrës në Superligën e Kosovës, duke theksuar se ekipi i tij nuk e meriton vendin ku ndodhet dhe ka ngritur shqetësime serioze për gjykimin në ndeshjet e fundit.
Duke folur për KosovaPress, ai ka deklaruar se Ferizaji, pavarësisht rezultateve, ka treguar cilësi dhe ka arritur fitore ndaj skuadrave më të forta të kampionatit, duke lënë të kuptohet se renditja aktuale nuk pasqyron realitetin në fushë.
“Ferizaji ka luajtur gjithmonë vetëm futboll, ndërsa në ekipet e tjera nuk është luajtur vetëm futbolli; për këtë arsye ne jemi këtu ku jemi dhe po mendoj që Superliga e Kosovës do të jetë e mangët nëse ne zbresim në rang dhe që po shihet se ne po zbresim më poshtë në Ligën e Parë të Kosovës. Do të jetë shumë e mangët sepse Ferizaj ka një ekip shumë të mirë dhe ka një grup të lojtarëve shumë të mirë, që unë mendoj se në Superligën e Kosovës të gjitha ekipet e kanë një dallim shumë të vogël sa i përket cilësisë brenda për brenda grupeve ose ekipeve që i kanë, duke e marrë prej Prishtinës së Re që është e fundit e deri te lideri Drita, sepse kjo e tregon edhe atë që ne tash jemi të fundit, ne kemi zhvilluar ndeshje dhe kemi fituar edhe kundër Ballkanit, kundër Gjilanit, edhe kundër Dritës kemi bërë fitore” – tregon Abazi.
Presidenti i klubit ka ngritur akuza të forta edhe për referimin, duke thënë se skuadra e tij është dëmtuar vazhdimisht gjatë sezonit, sidomos në përballjet me ekipet e renditura më poshtë.
“Kemi pasur shumë dëmtime nga ana e referëve, ku jemi dëmtuar në çdo ndeshje, thuajse në çdo ndeshje, edhe është interesante që në ndeshjet me ekipet e larta që janë nuk kemi pasur dëmtime gjatë ndeshjeve, po mendoj se është zhvilluar shumë mirë ndeshja dhe arbitri ka qenë në nivelin e duhur, mirëpo me këto ekipet që kemi luajtur në pjesën e pestë e më poshtë gjithmonë jemi dëmtuar. Arsyen nuk jemi duke e ditur pse; si në penallti, si në kartona të kuq, domethënë çdo herë kemi pasur diçka që neve na ka larguar nga loja” – shtoi Abazi.
Më tutje, Abazi tregon për anën financiare tek klubi, se si interesimi i komunitetit dhe bizneseve lokale për të kontribuar financiarisht në klub është i ulët, duke bërë që drejtuesit të detyrohen të kërkojnë vazhdimisht sponsorizime. Ai nënvizon se, edhe pas shumë përpjekjeve dhe thirrjeve të njëpasnjëshme, mbështetja shpesh vjen me vështirësi dhe në mënyrë të kufizuar, ndërkohë që kritikat për mungesë rezultatesh janë të shpeshta.
“Po mirë, ne nuk kemi pasur, me të thënë të drejtën, financa shumë të mëdha. Të gjithë thonë që në Ferizaj është ekonomia e zhvilluar, ka biznese shumë të zhvilluara. Ferizajasit nuk e duan shumë klubin nga ana financiare, nuk e duan; dinë të flasin, të ankohen pse nuk ka rezultate, por kur është puna tek ana financiare, nuk janë, nuk e japin atë që duhet me e dhënë dhe duhet t’i thërrasim shumë herë për sponsorizime dhe, mbas 20 thirrjeve, në të 21-ën herë ndoshta të thotë që diçka po ju ndihmoj për sponsor” – ka thënë Abazi.
Ferizaji aktualisht ndodhet në pjesën e poshtme të tabelës, ndërsa lufta për mbijetesë në Superligën e Kosovës mbetet e hapur deri në javët e fundit.