Saturday, 12. September 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Dinamo fiton derbin, mposht Partizanin në Vorë

GS 12/09/2026 2 Min. Lesezeit

Emocione, spektakël dhe gola ka dhuruar derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Dinamos, i zhvilluar në stadiumin e Vorës dhe i transmetuar drejtpërdrejt në RTSH 1. “Blutë” mposhtin 4-2 “të kuqtë”, koleksionojnë fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe ngjiten në kuotën e 9 pikëve në klasifikim.

Dinamo zhbllokon shumë shpejt sfidën me Hekuran Berishën që përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Partizanit dhe shënon golin e avantazhit. “Të kuqtë” reagojnë menjëherë dhe 3 minuta më pas barazojnë shifrat me Aliun.

Ndeshja është e bukur dhe me ritëm. Të dyja skuadrat luajnë hapur dhe kërkojnë golin e avantazhit. Hoxhallari shënon golin e dytë për Dinamon, ndërsa pak minuta më vonë Silva Riçards të tretin.

Mbyllet 3-1 pjesa e parë. Partizani rihap ndeshjen sapo fillon pjesa e dytë me Fadairon, që shënon një gol shumë të bukur. “Të kuqtë” shënojnë me Kekon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

Qardaku shënon një gol shumë të bukur dhe vulos fatin e kësaj sfide. Dinamo fiton derbin 4-2, merr suksesin e tretë radhazi në kampionat dhe ngjitet në kuotën e 9 pikëve. Pas suksesit në Shkodër, ndalet sërish Partizani, që nuk ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon.

Teilen: