Sunday, 6. September 2026
Sport

Abissnet Superiore në RTSH/ Mbyllet java e tretë, Egnatia ruan ritmin perfekt

GS 06/09/2026 2 Min. Lesezeit

Java e tretë e kampionatit “Abissnet Superiore” u mbyll këtë të diel, duke dhuruar gola, emocione dhe rezultate të rëndësishme për skuadrat që synojnë objektivat e tyre në sezonin e ri.

Egnatia vijon me ritëm perfekt në këtë fillim kampionati. Rrogozhinasit mposhtën 2-1 Skënderbeun në “Arena Egnatia”, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe duke konfirmuar formën e mirë në javët e para të sezonit.

Fitore të rëndësishme regjistroi edhe Teuta, që triumfoi 3-1 në transfertë ndaj KF Laçit, duke marrë tri pikë me vlerë në një përballje të luftuar.

Në “Loro Boriçi”, Partizani siguroi fitoren e parë të sezonit të ri, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 3-2. Të kuqtë zhvilluan një ndeshje me ritëm dhe karakter, duke marrë tri pikët e para në kampionat.

Një tjetër fitore e rëndësishme ishte ajo e Tiranës. Bardheblutë triumfuan 4-0 ndaj FK Vorës në “Selman Stërmasi”, duke reaguar pas dy humbjeve në dy javët e para dhe duke marrë fitoren e parë në këtë sezon.

Java e tretë u mbyll në “Elbasan Arena”, aty ku Dinamo City mposhti AF Elbasanin me rezultatin 2-1. Blutë regjistruan kështu fitoren e dytë radhazi, duke vijuar ecurinë pozitive në kampionat.

Teilen: