Salernitana të premten, pastaj Atletiko e Madridit në datën 20. Interi nuk ka asnjë pengesë psikologjike për t’i përgatitur 2 ndeshjet e radhës, por sigurisht që trajneri do të bëjë një farë arsyetimi në lidhje me formacionet që do të zbresë në fushën e lojës.
Do të ketë patjetër rrotacion, në mënyrë që futbollistët të mbërrijnë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve më të freskët dhe të gatshëm për të përballuar Atletikon. Le t’i marrim me radhë. Kapitulli i parë lidhet me Açerbin.
Ai ka pësuar një tërheqje të lehtë muskulore ndaj Romës dhe e sigurt është që humbet Salernitanën. Për më tepër është edhe në rrezik për duelin ndaj “Los Kolçoneros”.
Përveç dëmtimit, ndaj tij ka nisur edhe një hetim për gishtin e mesit që iu tregoi tifozëve të Romës pas golit të shënuar. De Vraj ndez motorët dhe bëhet gati. Bashkë me të mund të jetë titullar ndaj Salernitanës edhe Bisek për të lënë pak pushim Pavarin.
Nuk do të ishte çudi që nga krahët të aktivizoheshin që nga fillimi Dumfris dhe Karlos Augusto, ashtu si Arnautoviç në sulm për të lënë të marrë pak frymë Lautaron. Nuk është në formën më të mirë dhe duhet të karikojë bateritë për Champions-in.
Ndërkohë që në mesfushë kërkon të bëjë më shumë kujdes, pasi është reparti ku vendosen ndeshjet nga Interi. Çalhanoglu është në sfidë me Asllanin për një fanellë titullari, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të shkojë rikuperimi i Fratezit.
Sa i përket mesfushorit të Kombëtares shqiptare, ndaj Fiorentinës tregoi se mund të luajë titullar dhe nuk ka aspak frikë nga përgjegjësia për të zëvendësuar turkun. Por nëse Fratezi nuk ia del, Klasen mund të luajë në vendin e Barelës.
Në fakt është shumë e vështirë që Inzagi të prishë të gjithë repartin e mesfushës për të lënë pushim 2 nga 3 titullarët. Edhe Mkitarian është një lojtar që ka shpenzuar shumë dhe po luan me ritëm të lartë në çdo ndeshje. Por ai është një futbollist pa të cilin trajneri Simone Inzagi nuk bën dot dhe me shumë mundësi do të jetë titullar.
PANORAMASPORT.AL