Për herën e dytë rresht, amerikani Mika Adams e ka fituar epitetin e basketbollistit më të mirë të xhiros në Superligën e Kosovës.
FBK, ka bërë të ditur të hënën, se Adams është shpallur “MVP i Javës” për xhiron e gjashtë, çmim që e fitoi edhe për xhiron e pestë të elitës së basketbollit kosovar.
Adams shkëlqeu në fitoren e Rahovecit 029 ndaj Vëllaznimit, duke e pasur indeksin e lojës 31, ku regjistroi 37 pikë, 7 kërcime e 6 asistime.
Ai u përfshi edhe në “Top 5” të javës së gjashtë, që përbëhet nga lojtarë të huaj, Dwight Wilson i Pejës, Ja’cori Payne i Trepçës, Shanon Shorter i Bashkimit dhe Laolu Oke i Borës.
Wilson me 27 pikë, 16 kërcime e 3 asistime ishte më efikasi te Peja që u mposht nga Bashkimi, ekip kuy u veçua Shorter me 27 pikë e 4 kërcime.
Payne me 18 pikë, 4 kërcime e 5 asistime udhëhoqi Trepçën në fitoren ndaj Yllit, ndërsa Oke u veçua te Bora që e mposhti Sigal Prishtinën, duke mbyllur ndeshjen me 19 pikë, 9 kërcime e 1 asistim.