Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka bërë të ditur se po qëndron në Selanik, ku po mbahet mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi ka thënë se në Selanik po zhvillohen edhe aktivitete me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Federatës Greke të Futbollit.
Ai ka bërë të ditur se në këto aktivitete po marrin pjesë drejtues e përfaqësues të federatave, si dhe personalitete të futbollit evropian.
“Është kënaqësi e veçantë të takohem me miq e kolegë nga familja e madhe e UEFA-s dhe të jem pjesë e aktiviteteve festive, ku në qendër ishin edhe fëmijët dhe e ardhmja e futbollit”, ka shkruar Ademi.
Ai ka theksuar se FFK-ja vazhdon të jetë aktive në familjen evropiane të futbollit, duke forcuar, sipas tij, miqësitë, partneritetet dhe bashkëpunimin me UEFA-n dhe federatat e tjera. /Lajmi.net/