Saturday, 18. July 2026
Sport

Agim Ademi takohet me Ronaldon ‘fenomenin’: Kosova nuk do ta harrojë kurrë vizitën e tij në qershor të vitit 1999

GS 18/07/2026 2 Min. Lesezeit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se është takuar me legjendën e futbollit botëror, Ronaldon.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi e cilësoi brazilianin si një kampion të madh brenda dhe jashtë fushës, duke kujtuar edhe vizitën e tij historike në Kosovë në qershor të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, raporton lajmi.net

Sipas Ademit, Ronaldo, në cilësinë e Ambasadorit të Vullnetit të Mirë të OKB-së, vizitoi Gjakovën e shkatërruar nga lufta dhe u dha shpresë e mbështetje morale qytetarëve në një nga periudhat më të vështira për vendin.

“Kënaqësi e veçantë të takohem me legjendën e futbollit botëror, ‘Fenomenin’ Ronaldo. Përtej fushës së gjelbër, Ronaldo ka një vend të veçantë në zemrat tona. Në qershor të vitit 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, ai vizitoi Kosovën si Ambasador i Vullnetit të Mirë i OKB-së. Me vizitën e tij historike në Gjakovën e shkatërruar nga lufta, ai u dha shpresë dhe mbështetje morale qytetarëve tanë në ditët më të vështira. Një kampion i madh brenda dhe jashtë fushës, të cilin Kosova nuk e harron kurrë!”, ka shkruar Ademi./Lajmi.net/

Teilen: