Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një takim me talentin kosovar të Bayern Munichut, Arijon Ibrahimovic, gjatë një dreke të përbashkët në Prizren.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ademi publikoi fotografi nga takimi dhe shprehu vlerësimin e tij për futbollistin e ri, duke e cilësuar si një nga talentet më të mëdhenj kosovarë që po afirmohet në futbollin evropian.
“Sot pata kënaqësinë të drekoj së bashku me një nga talentet më të mëdhenj kosovar të futbollit evropian, yllin e Bayern Munichut, Arijon Ibrahimovic. Përveçse një super futbollist me të ardhme të ndritur, Arijoni është edhe një djalë i edukuar, modest dhe krenar për rrënjët e tij, vlera këto që e bëjnë edhe më të veçantë”, shkroi Ademi.
Ademi i uroi 19-vjeçarit suksese në vazhdim të karrierës, duke shprehur bindjen se e ardhmja do t’i sjellë arritje të mëdha.
Në fund, ai falënderoi edhe familjen e futbollistit për, siç u shpreh, kultivimin e dashurisë së Arijon Ibrahimovicit për atdheun dhe vlerat e Kosovës.
Ibrahimovic konsiderohet një nga talentet më premtues me prejardhje nga Kosova dhe është pjesë e Bayern Munichut, ndërsa në të kaluarën ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të Gjermanisë.
Ai së fundmi u integrua në ekipin e parë të Bayernit, pas rikthimit nga huazimi prej Heidenheimit sezonin e kaluar. Ai më parë ishte i huazuar edhe te Frosinone në Serie A.
Ibrahimovic është pjesë e Gjermanisë U21, me të cilën debutoi në nëntorin e kaluar, ku ka dy paraqitje.