Boksieri Amarildo Bakaj ka befasuar të gjithë duke njoftuar pensionimin nga boksi në moshën 26-vjeçare. Me një rekord të pamposhtur, ai kishte kërkuar një përballje me boksierin numër një të botës në kategorinë e tij, Ben Whitaker, por nuk u konsiderua.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bakaj shpjegoi se mungesa e sponsorëve e pengonte të përballej me boksierët e tjerë, ndaj vendosi t’i “varë dorezat”.
“Sot ndaj me ju dorëheqjen time nga boksi. E di që disa do të mërziten dhe disa do të gëzohen. Gjatë karrierës sime nuk mbaj mend të kem derdhur lot gëzimi. Shumë kanë përpjekur të më njollosin emrin, sepse kanë parë talentin dhe potencialin tim. Tani, mos më helmoni më zemrën.”
Ai theksoi se nuk kishte frikë nga boksierët me emër, por për të marrë ndeshje të mëdha duheshin sponsorë:
“Boksierët në Angli dhe SHBA janë të fortë, jo për shkak të më shumë zemre apo forcë, por sepse u paguhen trajnerët më të mirë dhe biznesmenët i mbështesin. Tek ne kjo nuk funksionon. Shumë herë kam ndjerë se ëndrrat tona ndalojnë për shkak të rrethanave, jo talentit.”
Bakaj shprehu zhgënjimin ndaj ambientit lokal:
“Edhe shqiptarët e mi kanë tentuar të më pengojnë; interesoheshin vetëm për xhepat e tyre. Kam qenë gjithmonë patriot me zemër dhe nuk u komprometova, por kjo më kushtoi.”
Ai përfundoi me një reflektim të dhimbshëm për vendin dhe për veten:
“Jam 26 vjeç, në moshën më të mirë për boks, por shpirtërisht i lodhur. Kam lindur në vendin e gabuar. Do të më mungoni shumë. Faleminderit për çdo të mirë dhe të keqe. Ju dua.”