Ruben Amorim është rikthyer në pankinë pas largimit nga Manchester United, duke u emëruar trajneri i ri i Milanit. Klubi italian ka vendosur t’ia besojë drejtimin e skuadrës teknikut portugez, me synimin për t’u rikthyer në garën për trofetë në sezonin e ardhshëm.
Milani, që e mbylli edicionin e kaluar në vendin e pestë në Serie A, sheh te Amorim njeriun e duhur për të udhëhequr projektin e ri sportiv dhe për të rikthyer skuadrën në majat e futbollit italian dhe evropian.
Pas zyrtarizimit, 40-vjeçari nuk e fshehu emocionin për sfidën që e pret në “San Siro”.
“Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur objektiva të mëdha dhe drejtimi i Milanit ka qenë gjithmonë një prej tyre. Ky është një klub me histori të jashtëzakonshme, traditë fituese dhe tifozë të mrekullueshëm në të gjithë botën. Jam krenar që do të jem pjesë e kësaj familjeje”, deklaroi Amorim.
Portugezi ka ndërtuar reputacionin e tij në futbollin portugez, ku fillimisht drejtoi Casa Pian dhe Bragën, përpara se të shkëlqente te Sporting Lisbona. Sukseset me gjigantin portugez i hapën rrugën transferimit te Manchester United, por aventura e tij në “Old Trafford” nuk rezultoi ashtu siç pritej.
Pas 14 muajsh në krye të skuadrës angleze, Amorim u largua nga detyra në mes të sezonit, duke i dhënë fund një periudhe të vështirë në Premier League.
Tashmë ai përballet me një sfidë të re në Itali, ku do të ketë detyrën të rikthejë Milanin në nivelin që tifozët presin. Një nga momentet më interesante të verës do të jetë pikërisht përballja mes Milanit dhe Manchester United në një ndeshje miqësore parasezonale më 15 gusht në Poloni, ku Amorim do të ketë mundësinë të përballet me ish-klubin e tij vetëm pak muaj pas largimit.