Ruben Amorim nuk po këmbëngul më për transferimin e një qendërmbrojtësi te Milani, pasi mbrojtja konsiderohet e kompletuar. Tashmë, e gjithë vëmendja është përqendruar te përforcimi i repartit ofensiv.
Pas afrimit të Diego Moreiras, ditët e fundit është raportuar se Amorim kërkonte edhe dy përforcime para mbylljes së merkatos: një qendërmbrojtës dhe një mesfushor ofensiv. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar.
Sipas raportimeve të Gazzetta dello Sport, takimi i djeshëm mes Amorimit dhe Gerry Cardinale ka sjellë një ndryshim të prioriteteve. Në vend që të synojë dy transferime, Milani do të përqendrohet tashmë në gjetjen e një mesfushori ofensiv të nivelit të lartë, përcjell ORAinfo.
Mbrojtja konsiderohet e kompletuar
Gazetari Matteo Moretto ka konfirmuar gjithashtu këtë ndryshim, duke bërë të ditur se Amorim e konsideron repartin defensiv të kompletuar.
“Milani po kërkon një mesfushor ofensiv. Fillimisht ekzistonte edhe ideja për të marrë një qendërmbrojtës, por Amorim beson se reparti defensiv është i kompletuar. Kështu, Milani po vazhdon punën për mesfushorin ofensiv dhe largimet”, ka deklaruar Moretto.
Nëse Fikayo Tomori largohet, kuqezinjtë sërish do të kenë disa alternativa në mbrojtje, me Mario Gila, Matteo Gabbia, Strahinja Pavlović, Koni De Winter, Sankhoun Diawara, Filippo Terracciano dhe Davide Bartesaghi në dispozicion.
Ndërkohë, situata është më ndryshe në repartin ofensiv. Milani nuk ka të njëjtën thellësi në rolin e mesfushorit ofensiv, veçanërisht sa i përket një lojtari me këmbën e majtë.
Për këtë arsye, drejtuesit kuqezi duket se janë të gatshëm të përqendrojnë investimin kryesor të merkatos në gjetjen e një lojtari që mund t’i japë më shumë kreativitet dhe cilësi fazës sulmuese. /ORAinfo/