U desh pak kohë që Carlo Ancelotti të bëhej i popullarizuar në Brazil. Ai solli një skuadër modeste në Kupë të Botës dhe barazimi pa shkëlqim me Marokun nuk e ndihmoi kauzën e Ancelottit.
Por me fitoret 3:0 ndaj Haitit dhe Skocisë, Brazili është kualifikuar në fazën nokaut me besim të kthyer dhe aspirata për titull.
Duket se Ancelotti më në fund po hap rrugën përpara me pesë herë kampionin e botës.
“Ai është trajneri më i madh i të gjitha kohërave”, tha tifozi i Brazilit, Luca Scapinelli përpara fitores ndaj Skocisë. “Pesë trofe të Ligës së Kampionëve dhe triumf në çdo ligë të madhe evropiane. Ai mund të ofrojë shumë. Nuk kemi pasur trajner kaq të madh për kohë të gjatë”.
Suksesi në nivel klubesh, sidomos me Real Madridin dhe Milanin, ishte arsyeja pse Brazili e punësoi trajnerin italian rreth një vit më parë. Brazili nuk ka fituar Kupë të Botës që nga viti 2002.
Emëruesi i përbashkët i suksesit të Brazilit në turne deri më tani ishte Vinicius Junior. Ylli i Real Madridit, i cili ka luftuar për të ofruar në përfaqësuese cilësinë që e shfaqte në klub, ka shënuar në të gjitha tri ndeshjet. Ka realizuar dy herë ndaj Skocisë dhe tani i ka katër gola.
67-vjeçari e ushtroi Viniciusin në Madrid nga viti 2021 deri në vitin 2025, duke e ndihmuar të shndërrohej në yll global.
Dyshja fitoi dy trofe të Championsit, dy trofe të La Ligas dhe një Kupë të Mbretit gjatë kësaj periudhe.
“Është kënaqësi sepse nuk kisha dyshim se si ai mund të paraqitej në këtë Kupë të Botës”, tha Ancelotti për Viniciusin.
“Për të është nder të luajë për ekipin përfaqësues. Ai është një nga më të mirët në botë, pa asnjë dyshim”.
Viniciusi ka thënë se tekniku italian e ka ndihmuar të shënojë më shumë gola.
Gjatë prezantimit si selektor, Ancelotti kishte theksuar se gjithmonë ka ndier “një lidhje të veçantë me Brazilin” dhe se e kuptonte plotësisht se shumë presin që Brazili të bëhet sërish kampion i botës.
Kjo lidhje duket se po shfaqet në momentin e duhur. Kur emri i Ancelottit u përmend para ndeshjes me Skocinë, tifozëria braziliane në stadium duartrokiti me entuziazëm.
Disa tifozë nuk ishin të kënaqur me punësimin e një trajneri të huaj, por kjo duket se është zhdukur.
Në raundin e parë të fazës nokaut, Brazili përballet me Japoninë. Ndeshja zhvillohet të hënën nga ora 19:00 në Houston.